Vendosni fjalën kyçe....

SafeJournalists dënon ndërprerjen e punës së mediave në Focus Media Group


Rrjeti SafeJournalists shpreh shqetësim të thellë për operacionin e policisë të zhvilluar në orët e para të mëngjesit të 9 gushtit 2025 kundër Focus Media Group, që përfshin News24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare.

Sipas komunikimit zyrtar të Focus Media Group, Policia e Shtetit ka rrethuar godinën ku ushtrojnë aktivitetin këto media, ka ndërprerë furnizimin me energji elektrike dhe ka lënë News24 pa sinjal transmetimi. Gazetarëve u është penguar hyrja në redaksitë e tyre, duke bllokuar punën e disa redaksive dhe duke privuar publikun nga qasja në informacion. Që nga ora 10:00, News24 ka vijuar transmetimin përmes kanalit në YouTube.

Godina raportohet të jetë objekt i një mosmarrëveshjeje pronësore me kompaninë shtetërore të prodhimit të armëve KAYO, e cila mori pronësinë këtë vit. SafeJournalists kujton se çdo veprim që ndikon në funksionimin e mediave duhet të ndjekë një proces të rregullt ligjor dhe të sigurojë ndërhyrje minimale në punën e gazetarëve dhe të drejtën e publikut për informim. Mediat duhet të kenë kohë të mjaftueshme për t’u zhvendosur në ambiente të tjera, për të garantuar vazhdimësinë e punës.

Deri më tani, nuk ka pasur asnjë njoftim paraprak, vendim gjykate apo urdhër ligjor që të justifikojë ndërprerjen e energjisë dhe bllokadën, ndërsa operacioni është zhvilluar herët në mëngjesin e një të shtune, kur stafi dhe vëmendja publike janë zakonisht më të ulëta. Autoritetet nuk kanë dhënë deklarata zyrtare mbi bazën ligjore, arsyet apo kohëzgjatjen e këtij veprimi.

SafeJournalists i bën thirrje autoriteteve shqiptare të heqin menjëherë bllokadën, të rikthejnë energjinë dhe të sigurojnë qasje të pakufizuar për gazetarët në vendet e tyre të punës, si dhe të japin shpjegime publike për bazën ligjore të këtij veprimi. Çdo masë ndaj mediave duhet të bëhet në përputhje të plotë me ligjin dhe me mbikëqyrje gjyqësore.

SafeJournalists shpreh solidaritet me gazetarët dhe punonjësit e medias të prekur nga kjo situatë dhe thekson se çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.

Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 9 Gusht 2025

Në emër të:

  • Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

  • Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë

  • Shoqata e Gazetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës

  • Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë

  • Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë

  • Sindikata e Mediave e Malit të Zi