
Një numër qytetesh franceze kanë vendosur shtetrrethim gjatë natës për të miturit, pas një vale dhune të lidhur me trafikun e drogës. Nîmes, në jug të vendit, është qyteti më i fundit që ka ndërmarrë këtë masë, e cila sipas autoriteteve synon të mbrojë të miturit nga ekspozimi ndaj dhunës dhe të zbusë tensionet në rritje. Masat parashikojnë kufizimin e lëvizjes për personat nën 16 vjeç nga ora 21:00 deri në 06:00 të mëngjesit, përcjell BBC.
Kryetari i bashkisë së Nîmes, Jean-Paul Fournier, e përshkroi situatën si “të papërballueshme”, duke deklaruar se trafikantët e drogës kanë krijuar një “klimë frike dhe terrori”. Ndërkohë, zëvendëskryetari Richard Schieven theksoi se shtetrrethimi është i nevojshëm për të mbrojtur fëmijët që nuk janë të përfshirë në rrjetet e drogës, por që shpesh shfrytëzohen prej tyre.
Vendime të ngjashme janë marrë edhe në qytetin Béziers, ku një shtetrrethim për fëmijët nën 13 vjeç ka qenë në fuqi që nga viti i kaluar, ndërsa së fundmi është zgjeruar për ata nën 15 vjeç në disa zona. “Asnjë 10-vjeçar që endet në rrugë në orën 2 të mëngjesit nuk është duke bërë diçka të mirë,” tha kryetari Robert Ménard në vitin 2024.
Megjithatë, dhuna ka vazhduar. Të rinj me maska sulmuan policinë me fishekzjarrë gjatë fundjavës, ndërsa incidente të ngjashme u raportuan edhe në Limoges, ku pavarësisht shtetrrethimit për fëmijët nën 13 vjeç gjatë pushimeve verore, dhuna përfshiu rreth 100 persona. Kryebashkiaku i Limoges-it, Émile Roger Lombertie, deklaroi se masat kishin rezultuar “joefektive”.
Dhuna në rritje po shtrihet përtej Marsejës, që ka qenë historikisht qendra e luftës mes bandave në Francë. Vetëm në vitin 2024, sipas Ministrisë së Brendshme, 110 persona janë vrarë dhe mbi 300 janë plagosur si pasojë e dhunës së lidhur me drogën.
Për t’i dhënë fund kësaj situate, Ministri i Drejtësisë Gérald Darmanin dhe Ministri i Brendshëm Bruno Retailleau kanë hartuar një ligj të ri, i cili parashikon burgje të sigurisë së lartë për baronët e drogës, një degë të specializuar të prokurorisë, fuqi shtesë për hetuesit dhe mbrojtje të veçantë për informatorët.
Të martën, Darmanin konfirmoi se “17 trafikantët më të rrezikshëm të vendit” janë transferuar në burgun me siguri maksimale në Vendin-le-Vieil, në veri të Francës. Një valë sulmesh me zjarrvënie dhe armë ndaj burgjeve këtë pranverë është parë si reagim i grupeve kriminale ndaj goditjes së shtetit.