Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Paketë e re për Reformën Territoriale, ndalohen legalizimet pas 2020 dhe do të krijohet listë e zezë për ndërtuesit abuzues


Kryeministri Edi Rama ka njoftuar nisjen e punës për një paketë të re të Reformës së Territorit, e cila do të zhvillohet në dy faza. Në një takim me deputetë të PS dhe drejtues të Bashkisë së Tiranës, Rama tha se një grup deputetësh, mes tyre edhe ai vetë, po përgatisin ndërhyrjet që do të përfshijnë ndryshime ligjore dhe masa emergjente.

Faza e parë, sipas Kryeministrit, do të përfshijë një akt normativ për të adresuar situatën aktuale në territor, së bashku me masa për ujin e pijshëm dhe menaxhimin e mbetjeve. Faza e dytë do të përqendrohet në rishikimin e ligjeve ekzistuese, përfshirë ligjin për ndërtimin, që konsiderohet i vjetruar.

Rama paralajmëroi se çdo ndërtim i bërë pas vitit 2020 nuk do të përfitojë nga procesi i legalizimit. Ai theksoi se ky proces është shpërdoruar nga individë dhe subjekte që kanë ndërtuar në mënyrë të paligjshme dhe më pas kanë bërë vetëdeklarim për t’u përfshirë në skema legalizimi.

“Procesi i legalizimit është mbyllur në vitin 2020. Asgjë e ndërtuar pas këtij viti nuk lejohet të legalizohet,” tha Rama.

Në kuadër të masave të reja, Kryeministri njoftoi se do të miratohet me ligj krijimi i një liste të zezë për ndërtuesit dhe investitorët që abuzojnë me territorin apo shkelin lejet e ndërtimit. Personat ose subjektet që përfshihen në këtë listë do të humbin të drejtën për të marrë leje ndërtimi dhe për të ushtruar aktivitet në sektorin e ndërtimit për një periudhë kohe të caktuar.

“Interesi publik do të prevalojë. Nuk do të lejohet më që të vijojë mashtrimi me vetëdeklarime për ndërtime pas vitit 2020,” përfundoi Rama.