Vendosni fjalën kyçe....

Stela e Derrkucit në Via Egnatia


Nga Auron Tare

Në qindra e qindra histori që janë shpalosur përgjatë Via Egnatias një nga zbulimet më interesante lidhur me këtë rrugë antike është Stela e Derrkucit.

E zbuluar diku përgjatë pjesës që sot shtrihet në zonën e Greqisë Veriore, konsiderohet si një zbulim i veçantë.
Një histori jashtëzakonisht interesante e trashëgimisë kulturore të kësaj rruge.

Ajo që e bën këtë stelë kaq të veçantë nuk është vetëm fakti që i është kushtuar një Derrkuci – një dedikim i rrallë ky, pasi duhet thënë se në epigrafinë romake dhe greke, mbishkrimet mortore për kafshë janë të rralla.

Që Stele e tillë ekziston për një derrkuc, një kafshë kjo e lidhur zakonisht me ushqimin dhe flijimin, na zbulon një dimension tjetër të dashurisë së banorëve antikë me kafshë jo detyrimisht të lidhura me njeriun si qeni apo kali.

Mundet dhe ky është një spekulim imi që në shoqërinë e udhëtarit mund të ketë pasur fëmijë të lidhur ngushtë me derrkucin e vogël.

 

Disa supozime mbi mbishkrimin:

Derrkuci përshkruhet si “mik i të gjithëve”, duke i dhënë personalitet dhe pafajësi. Kjo tregon se sa shumë e vlerësonte i zoti përtej rolit të tij të zakonshëm ekonomik.

Zëri i imagjinuar i derrkucit, gdhendur në gur, përshkruan rrugën e tij përgjatë Via Egnatia, duke përmendur vende konkrete: Dyrrachiumin (Durrësin), Apolloninë, drejt Emathisë (Maqedonia Antike).

Pra, derrkuci ynë ka përshkruar rrugën nëpërmjet Klodianës Antike (Peqini i sotëm), me shumë siguri ka pushuar në Bradashesh, ku ndodhet një vend pushimi i mirëfilltë romak, dhe nëpërmjet Luginës së Shkumbinit drejt Oherit.

Pra kjo stelë nuk është thjesht një epitaf, por edhe një ditar udhëtimi nëpër Via Egnatia.

Përmendja e “qerres së Phallos-it” lidhet me një festë fetare, ndoshta dionisiane apo të një kulti pjellorie. Fakti që derrkuci ishte një dhuratë për këto rituale, sugjeron ndoshta që udhëtari/udhëtarët po shkonin në një panair me rëndësi fetare.
Fund tragjik i derrkucit – karrocë apo qerre – përshkruhet me dhimbje.

Vargu i fundit i epitafit, “Tani shtrihem këtu, pa borxh ndaj vdekjes”, jehon si një mbishkrim mortor për njerëz.

Ai e vendos derrkucin në të njëjtin dimension ekzistencial me bashkëudhëtarin.

Kjo stelë na kujton se udhëtarët e lashtë nuk ishin vetëm ushtarë, tregtarë apo zyrtarë, ata ishin gjithashtu njerëz që pikëlloheshin dhe përkujtonin shokët e tyre të udhëtimeve, qofshin ata me dy apo me katër këmbë.

 

Epitafi:

“Një Derrkuc, mik për të gjithë, i ri katërkëmbësh, këtu shtrihem,
pasi lashë pas tokën e Dalmacisë, dhuratë i ofruar,
dhe Dyrrachiumin e shkela, edhe Apolloninë,
duke dëshiruar, dhe gjithë tokën e kalova në këmbë i paprekur.
Por nga fuqia e një rrote tashmë humba dritën,
me mall për të parë Emathinë dhe qerrën e Phallos-it.
Këtu tani shtrihem, pa borxhe me vdekjen.”

Shqipërimi: A.V.

May be an image of text