Vendosni fjalën kyçe....

‘20 mijë metra katror të çliruara në Tiranë’, Rama publikon pamjet nga prishja e objekteve pa leje në kryeqytet


Pas aksionit për lirimin e hapësirave publike që është shtrirë në të gjithë vendin, qeveria e ka gati planin e menaxhimit.

Shumë shpejt, pronarët e lokaleve apo të njësive të tjera të shërbimit do të kenë në duar planin të cilin do duhet ta zbatojnë me përpikmëri.

Detajet janë zbuluar nga kryeministri Edi Rama, në një postim të radhës në Facebook, ku shkruan se vendosja e tavolinave në hapësirat publike, do të bëhet sipas formulës 75% për këmbësorët dhe 25% për njësitë e shërbimit.

Krahas këtij plani, Rama thotë se po punohet me projektet e Rilindjes Urbane 2.0, për të cilën janë angazhuar arktiektë të huaj e vendas.

“Po punohet me projektet e Rilindjes Urbane 2.0 për të cilën janë angazhuar shumë arkitektë të huaj e vendas. Ndërsa për vendosjen e tavolinave jashtë, së shpejti do t’u jepet të gjithëve plani i ri, me formulën bazë 75% të hapësirës këmbësorët 25% njësia e shërbimit. Dhe nuk do të lejohet asnjë lloj strukture e ndërtuar në trotuare, përveçse në rastet e hapësirave të bollshme e vetëm atje ku ka një projekt të mirëfilltë urbanistik”, shkroi Rama në rrjetet sociale.

Vetëm për Tiranën, kryeministri bën ‘bilanin’ e aksionit, duke thënë se deri nesër arrin në rreth 20 mijë metra katrorë sipërfaqja e hapësirave publike të çliruara.

“Sipas planit të punës vetëm në Tiranë arrin deri nesër në rreth 20 mijë metra katrorë sipërfaqja e hapësirave publike të çliruara, ndërkohë që puna nuk do të ndalet më as në kryeqytet, as në qytetet e tjera ku ka marrë kot ky fenomen dhe as në bregdet e në zonat e mbrojtura jo e jo”, thekson Rama.

Ky aksion nuk do të ndalet thotë Rama, jo vetëm në kryeqytet, por edhe nw bregdet, apo zonat e mbrojtura.