Vendosni fjalën kyçe....

Britania sanksionon 18 spiunë rusë


Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, ka shpallur sanksione kundër 18 spiunëve rusë dhe njësive të tyre, të cilët janë akuzuar për një seri sulmesh kibernetike ndaj infrastrukturës kritike të Mbretërisë së Bashkuar, përfshirë media, telekomunikacion, institucione politike dhe energjetike. Sipas tij, Rusia ka vepruar në prapaskenë për të destabilizuar Evropën dhe për të kërcënuar sigurinë e qytetarëve britanikë.

Dy prej individëve të sanksionuar janë përfshirë në instalimin e spyware-it X-Agent në një pajisje që përdorej nga Yulia Skripal, pesë vite para se ajo dhe babai i saj, ish-spiuni Sergei Skripal, të helmoheshin me agjentin nervor novichok në Salisbury më 2018, përcjell Guardian. Çifti i mbijetoi sulmit, por një grua britanike, Dawn Sturgess, humbi jetën pasi partneri i saj gjeti rastësisht një shishe parfumi që përmbante lëndën helmuese.

Spyware-i X-Agent besohet të jetë i lidhur me grupin hakerues Fancy Bear, që raportohet të ketë lidhje të drejtpërdrejta me njësinë 26165 të inteligjencës ushtarake ruse GRU – një nga subjektet ndaj të cilave janë vendosur sanksione.

Qeveria britanike tha se disa nga spiunët e kësaj njësie kanë qenë të përfshirë edhe në sulmin ndaj teatrit të Mariupolit në Ukrainë, ku humbën jetën qindra civilë, përfshirë fëmijë, si dhe në operacione të tjera kibernetike në mbështetje të Presidentit Vladimir Putin.

“Spiunët e GRU-së po zhvillojnë një fushatë për të minuar sovranitetin e Ukrainës dhe për të kërcënuar Evropën,” tha Lammy. “Kremlini duhet ta dijë se nuk do ta tolerojmë këtë sjellje. Mbështetja jonë për Ukrainën dhe sigurinë evropiane është e palëkundur.”

Emrat e personave të sanksionuar janë publikuar në mënyrë të hapur. Sanksionet përfshijnë ngrirje asetesh dhe ndalim udhëtimi.

Po ashtu, një organizatë e quajtur “African Initiative” është sanksionuar për përhapje të dezinformatave në lidhje me çështje shëndetësore në Afrikën Perëndimore.

Kjo lëvizje shënon një përshkallëzim të strategjisë së Mbretërisë së Bashkuar ndaj Rusisë, pasi më herët sanksionet ishin fokusuar kryesisht te politikanë, institucione financiare dhe udhëheqës ushtarakë.

Sipas Zyrës së Jashtme, sanksionet e vendosura ndaj Rusisë që nga shkurt 2022 kanë i kanë shkaktuar shtetit rus një humbje prej të paktën 450 miliardë dollarësh në fonde të lidhura me luftën.

Lammy është shprehur më herët se “epoka e pasluftës së ftohtë ka përfunduar”, duke e cilësuar shtetin rus si një “shtet mafioz nën drejtimin e Putinit”, ndaj të cilit duhet vepruar me vendosmëri për të mbrojtur sigurinë kombëtare.