Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli pranon marrëveshjen e Katarit për pengjet, Hamasi e refuzon


Izraeli ka pranuar marrëveshjen e propozuar nga Katari për lirimin e pengjeve, të bazuar në planin “Witkoff”, ndërsa Hamasi e ka refuzuar atë, bëri të ditur një zyrtar i lartë nga zyra e Kryeministrit izraelit këtë të shtunë.

Sipas tij, delegacioni izraelit është dërguar në Doha pikërisht për të ndjekur këtë propozim dhe ka marrë mandatin e nevojshëm për negociata. Ai akuzoi Hamasin se “po vendos pengesa, refuzon të bëjë kompromise dhe po ushtron luftë psikologjike për të sabotuar negociatat”, përcjell Jerusalem Post.

Pavarësisht pranimit nga Izraeli, negociatat në Doha për shkëmbimin e pengjeve dhe një armëpushim 60-ditor duket se janë në një pikë të vështirë. Zyrtarë palestinezë kanë deklaruar për BBC se bisedimet rrezikojnë të dështojnë plotësisht.

Hamasi ka kundërshtuar disa pika kyçe, përfshirë mënyrën e shpërndarjes së ndihmës humanitare në Gaza, të cilën kërkon që të kryhet përmes OKB-së dhe organizatave ndërkombëtare, ndërsa Izraeli propozon përdorimin e Fondacionit Humanitar të Gazës. Një tjetër pikë e nxehtë mbetet prania e trupave të Forcave të Mbrojtjes izraelite (IDF) në Rripin e Gazës gjatë armëpushimit të përkohshëm – një element që Hamasi e kundërshton.

Nga pala izraelite, marrëveshja parashikon lirimin e 10 pengjeve të gjalla dhe kthimin e trupave të 18 personave të tjerë brenda një periudhe 60-ditore. Në këmbim, Izraeli do të lirojë një numër të caktuar të burgosurish palestinezë, pa ndonjë ceremoni publike.

Në total, rreth 50 pengje mbeten ende në Gaza – 20 të gjallë dhe 30 të tjerë të raportuar të vdekur.

Bisedimet kanë vazhduar në mënyrë të tërthortë përmes ndërmjetësve nga Katari dhe Egjipti, ndërsa i pranishëm ka qenë edhe i dërguari amerikan Brett McGurk. Deri më tani janë zhvilluar tetë raunde bisedimesh në Doha, por pavarësisht presionit ndërkombëtar, palët mbeten larg arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare.