
Gjermania ka regjistruar 2,137 vdekje të lidhura me përdorimin e drogës gjatë vitit 2024, sipas të dhënave të publikuara të hënën nga komisioneri federal për çështjet e drogës, Hendrik Streeck. Kjo është hera e dytë radhazi që numri i viktimave nga droga kalon kufirin e 2,000 vetëve në një vit të vetëm, përcjell DW.
Edhe pse shifra është pak më e ulët se në vitin 2023, kur u regjistruan 2,227 vdekje, autoritetet kanë ngritur alarmin për një rritje prej 14% të vdekjeve tek të rinjtë nën moshën 30 vjeç.
Streeck theksoi se është vërejtur një rritje e ndjeshme e vdekjeve nga opioidët sintetikë, si fentanili dhe nitazeni, që lidhet me ndalimin e prodhimit të opiumit nga talebanët në Afganistan. Kjo ka shtyrë tregun ndërkombëtar të drogës të zëvendësojë heroinën me substanca sintetike më të fuqishme dhe më të rrezikshme.
“Duhet të reagojmë më shpejt, më sistematikisht dhe më fuqishëm ndaj drogërave të reja dhe më të rrezikshme”, deklaroi Streeck.
Dirk Schäffer, zyrtar i politikave për drogën në organizatën Deutsche Aidshilfe, e cilësoi këtë situatë si një katastrofë, duke kujtuar se në dekadën e fundit numri i vdekjeve nga droga është dyfishuar.