
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj presidentit amerikan Donald Trump dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për, siç tha ai, ndalimin e një lufte të mundshme nga Serbia ndaj Kosovës.
Kurti u shpreh se SHBA-të kanë pasur më shumë informacion mbi planet operacionale të Serbisë dhe është e pritshme që autoritetet kosovare të mos kenë të njëjtat të dhëna.
“Nuk mund t’i di planet që kanë pasur, nuk i kam informacionet e tyre. Me siguri SHBA-të kanë më shumë informacione për synimet operacionale të Serbisë dhe mund të kenë vepruar kundër tyre. Faleminderit shumë. Jemi shumë mirënjohës për rolin e SHBA-ve,” tha Kurti.
Ai shtoi se shpreson që një ditë institucionet e Kosovës, përmes bashkëpunimit me partnerët amerikanë, të kenë qasje në këto informacione.
Deklarata e Kurtit vjen pas komenteve të presidentit Trump, i cili në një postim të fundit ka thënë se “e ndala luftën” duke iu referuar tensioneve në rritje mes Kosovës dhe Serbisë.