Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata Speciale refuzon kërkesën e mbrojtjes së Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit për përjashtimin e provave


Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë refuzuar kërkesën e përbashkët të ekipeve mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit për të apeluar një vendim që pranonte disa dokumente si prova në procesin gjyqësor ndaj tyre.

Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara, Michael Doyle, bëri të ditur se dokumentet në fjalë – përfshirë akte të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës – janë vlerësuar në mënyrë të hollësishme nga trupi gjykues. Ai theksoi se janë analizuar elementë si firmat, vulat dhe rrethanat e sekuestrimit të tyre, duke përfshirë faktin që disa dokumente ishin konfiskuar nga banesa e Jakup Krasniqit.

Doyle hodhi poshtë pretendimet e mbrojtjes se dokumentet ishin paraqitur në mënyrë të papritur nga Prokuroria, duke sqaruar se mbrojtja ishte njoftuar që në fillim të procesit për synimin e përfshirjes së tyre në listën e provave.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020 dhe akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë (1998–1999), përfshirë ndalime arbitrare, tortura, vrasje të paligjshme dhe ndjekje politike.

Të katër të akuzuarit i kanë mohuar akuzat dhe e kanë konsideruar procesin si të motivuar politikisht. Procesi gjyqësor mbetet një ndër më të rëndësishmit në kuadër të punës së Dhomave të Specializuara.