
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se asgjë nuk është lëvizur nga objektet bërthamore të Iranit që u goditën nga sulmet ajrore të SHBA-së. Ndërkohë, liderët evropianë besojnë se stoku i uraniumit të pasuruar të Iranit mbetet kryesisht i paprekur, përcjell Jerusalem Post.
Gjatë një konference për shtyp të mbajtur më 25 qershor në samitin e NATO-s në Hagë, Trump tha se “asgjë nuk është nxjerrë nga objektet” dhe shtoi se “do të merrte shumë kohë, do të ishte shumë e rrezikshme dhe shumë e rëndë për t’u transportuar”.
Deklarata e tij vjen në vijim të komenteve të Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili po ashtu tha se nuk ka dijeni për ndonjë informacion të inteligjencës që të sugjerojë se Irani ka lëvizur uraniumin për ta mbrojtur nga sulmet ajrore të fundjavës së kaluar.
Megjithatë, një raport i Financial Times, i publikuar të enjten, citon burime evropiane që thonë se stoku prej rreth 408 kilogramësh uranium të pasuruar pranë nivelit për armë nuk ndodhej i përqendruar në Fordow – një nga dy objektet kryesore të pasurimit të Iranit – në momentin e sulmit.
Sipas Sekretarit të Mbrojtjes Hegseth, sulmet e përbashkëta SHBA-Izrael përbëjnë një “goditje vendimtare” ndaj programit bërthamor të Iranit. Ai deklaroi se këto sulme kanë “krijuar kushtet për përfundimin e luftës” dhe kanë “shkatërruar, zhdukur ose dobësuar rëndë kapacitetet bërthamore të Iranit”.
Në konferencën e tij në Pentagon më 22 qershor, Hegseth shtoi: “Nuk kam parë asnjë informacion të inteligjencës që të tregojë se uraniumi është lëvizur apo se ndodhej diku tjetër nga ku pritej”.
Ai përmbylli deklaratat e tij duke vlerësuar presidentin Trump për një “ndryshim historik në sigurinë kontinentale”, duke shtuar: “Presidentë të tjerë e kanë premtuar, Trump e realizoi.”