
Autoritetet italiane kanë konfirmuar arrestimin e Nikollaq Hudhrës, 55 vjeç, pas rrëfimit të tij për vrasjen e ish-bashkëshortes Gentiana Hudhra, 45 vjeçe, më 14 qershor në Tolentino, Itali.
Sipas raportimeve, Hudhra e goditi me thikë viktimën në një shesh pranë qendrës historike të qytetit. Pas krimit, ai nuk u largua nga vendi i ngjarjes, por u ul në një stol dhe priti mbërritjen e karabinierëve.
Gjatë seancës dëgjimore, gjyqtarja e hetimeve paraprake Daniela Bellesi vlerësoi provat dhe rrezikun e përsëritjes së krimit, duke urdhëruar një vlerësim mjekësor-psikiatrik për të pandehurin.
Ndërkohë, autopsia e trupit të viktimës është planifikuar për të enjten në mëngjes në morgun e spitalit në Macerata. Prokuroria mund të marrë në pyetje dy fëmijët e çiftit për të mbledhur informacione mbi mjedisin familjar dhe shenjat e mundshme të dhunës në të kaluarën.
Për të përkujtuar viktimën dhe për të dërguar një sinjal kundër dhunës ndaj grave, Bashkia e Tolentinos ka organizuar një procesion publik me pishtarë në Piazza della Libertà.