
Zyra e shtypit e qeverisë së Izraelit tha të dielën se numri i të vdekurve nga sulmet iraniane ndaj Izraelit që nga e premtja është rritur në 14.
Një tjetër trup u gjet në qytetin Bat Yam në Izraelin qendror, pasi një sulm iranian goditi një ndërtesë banimi. Të paktën shtatë persona u vranë në atë sulm, sipas shërbimeve të emergjencës dhe zyrtarëve qeveritarë.
Izraeli nisi një seri sulmesh që synojnë raketat tokë-tokë në Iranin perëndimor, thanë të dielën Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF).
“IAF filloi një seri sulmesh ndaj dhjetëra objektivave të raketave tokë-tokë në Iranin perëndimor,” thuhej në deklaratën e IDF-së.
Sulmet midis Iranit dhe Izraelit vijuan gjatë gjithë të dielës. Izraeli i paralajmëroi qytetarët në të gjithë vendin të qëndronin pranë strehimoreve pasi zbuluan raketat, ndërsa banorët në kryeqytetin iranian Teheran i thanë CNN se ndien shpërthime të reja që trondisin qytetin të dielën pasdite.

Një ndërtesë e Ministrisë së Jashtme iraniane u godit në sulmet e së dielës pasdite, tregojnë videot, në atë që do të ishte sulmi i dytë i konfirmuar në një seli qeveritare që nga shpërthimi i dhunës së fundit midis Izraelit dhe Iranit.
Pamjet që qarkullojnë në mediat sociale dhe verifikohen nga CNN, tregojnë tym që del nga biblioteka e Ministrisë së Punëve të Jashtme, e vendosur në Teheranin verior.
Një gazetar vendas i tha CNN se ishte pranë një sheshi në qytet kur dëgjoi disa shpërthime. Ai tha se dritaret e zyrave pranë shpërthimit ishin shkatërruar të gjitha dhe se ambulancat kishin nxituar në vendngjarje.