Vendosni fjalën kyçe....

INTERVISTA – Pse Netanyahu vendosi ta godasë Iranin pikërisht tani


Nga Isaac Chotiner The New Yorker

Herët në mëngjesin e së premtes, Izraeli ndërmori një sulm madhor ndaj objekteve bërthamore dhe strukturave të armatimit të Iranit, duke shënjestruar gjithashtu një numër të konsiderueshëm zyrtarësh të lartë ushtarakë. Si kundërpërgjigje, Irani lëshoi dhjetëra raketa balistike drejt Tel Avivit dhe Jerusalemit në orët e vona të së premtes. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se sulmet do të “vazhdojnë për aq kohë sa duhet derisa ky kërcënim të eliminohet.”

Në reagim, Presidenti Trump – i cili së fundmi ishte shprehur se dëshironte të rinegocionte një marrëveshje bërthamore me Iranin (gjatë mandatit të tij të parë ai u tërhoq nga marrëveshja fillestare e firmosur gjatë administratës Obama) – shprehu mbështetje të fortë për sulmin izraelit duke deklaruar: “Mendoj se ishte i shkëlqyer. Ne u dhamë atyre [iranianëve] një mundësi dhe nuk e shfrytëzuan. U goditën rëndë, shumë rëndë… Dhe kjo nuk është e gjitha.”

Të premten, zhvillova një bisedë telefonike me Aluf Benn, kryeredaktor i gazetës Haaretz. Gjatë bisedës sonë, e cila është përmbledhur për shkak të gjatësisë dhe për qartësi, diskutuam mbi motivet e Netanyahut për të urdhëruar këtë sulm, mënyrën se si ai e përdor njohjen e tij për Trump-in për të ndjekur axhendën personale, dhe çfarë do të thotë kjo goditje për të ardhmen e rajonit.

Pse mendoni se kjo po ndodh pikërisht tani, në qershor të vitit 2025, dhe jo më herët apo më vonë?

Së pari, Izraeli është në luftë me të ashtuquajturin “bosht i rezistencës” të udhëhequr nga Irani prej gati dy vitesh. Së dyti, Izraeli, prej më shumë se njëzet vitesh, ka hartuar dhe përgatitur një plan për të sulmuar Iranin nën drejtimin e liderëve të njëpasnjëshëm. Për pjesën më të madhe të kësaj periudhe, në krye ka qenë Netanyahu, por udhëheqësit ushtarakë kanë menduar prej kohësh për çmontimin e objekteve bërthamore të Iranit, në të njëjtën mënyrë siç Izraeli bombardoi një reaktor bërthamor në Irak në vitin 1981 dhe më pas në Siri në vitin 2007. Në të dy rastet, ato programe bërthamore konsideroheshin si kërcënime ekzistenciale për Izraelin, dhe qëllimi ishte të parandalohej, të shtyhej apo të shkatërrohej ndërtimi i tyre.

Pra, ideja për të bombarduar Iranin ka qenë në tryezë për dy dekada. Kjo arriti kulmin rreth vitit 2012, nën Netanyahu dhe Ministrin e Mbrojtjes Ehud Barak, por u ndalua nga administrata Obama, e cila më pas nënshkroi një marrëveshje me Iranin për të kufizuar programin e tij bërthamor. Në atë moment, disa nga krerët izraelitë të sigurisë dhe inteligjencës mendonin se Izraeli nuk duhej të vepronte i vetëm dhe asnjëherë pa miratimin dhe dijeninë e SHBA-së.

Në vitin 1981, Menachem Begin, Kryeministër në atë kohë, bombardoi reaktorin pranë Bagdadit pa e njoftuar Uashingtonin, çka shkaktoi tension mes dy qeverive për një periudhë kohe. Ndërsa në vitin 2007, Ehud Olmert informoi George W. Bush-in për një reaktor që po ndërtohej në shkretëtirën siriane. Ai ishte një objekt sekret. Ne ndamë informacionin me Bushin, i cili për pak kohë mendoi ta godiste me forcat amerikane. Por më pas, SHBA vendosi të mos veprojë dhe lejoi Izraelin të ndërhynte. Izraeli nuk mori përgjegjësi për goditjen për gati një dekadë, për të mos e vënë në siklet Bashar al-Assadin dhe për të mos e nxitur atë në një kundërpërgjigje.

Sot nuk ka më asnjë lloj diskrecioni. Ky sulm është krejtësisht i hapur dhe vjen pas dy përplasjesh të armatosura mes Iranit dhe Izraelit vitin e kaluar. Në prill, Irani u kundërpërgjigj për vrasjen e një gjenerali të tij në Damask duke lëshuar dronë të llojeve të ndryshme. Por sulmi dështoi, sepse Izraeli ishte mbrojtur nga një koalicion që përfshinte edhe CENTCOM (Komanda Qendrore Amerikane).

Më pas, në tetor, pati sërish sulme me raketa nga Irani dhe një goditje izraelite që arriti të çmontonte mbrojtjen ajrore iraniane. Kjo u pasua nga kolapsi i Hezbollahut në Liban dhe i regjimit të Assadit në Siri, dy aleatët kryesorë të Iranit në rajon. Këto zhvillime hapën rrugën për një sulm të mundshëm mbi objektet bërthamore. Por u prit që Trump të jepte dritën jeshile.

Disa izraelitë me prirje më luftarake kishin shprehur shqetësimin se Trump nuk do të jepte dritën jeshile për këtë sulm, për shkak të dëshirës së tij për të arritur një marrëveshje me Iranin. Por ajo që duket se po thoni ju është se elementi vendimtar që ka ndryshuar është pikërisht momenti — dhe fakti që Trump është sërish në pushtet.

Së pari, u krijua një mundësi operacionale për një korridor të hapur pas neutralizimit të mbrojtjes ajrore iraniane në tetor, dhe Rusia nuk i riktheu më furnizimet dhe sistemet e mbrojtjes Iranit. Pastaj ndodhi disfata e Hezbollahut nga IDF (Forcat Mbrojtëse të Izraelit), eliminimi i drejtuesve të tij, shkatërrimi i shumicës së arsenalit të raketave balistike, dhe më pas rënia e Assadit. Kështu që tashmë është e mundur të dislokosh një forcë shumë të madhe për të goditur objektiva brenda Iranit. Së fundmi është raportuar se Izraeli kishte përfunduar përgatitjet, dhe Netanyahu po shtynte për një sulm ndaj Iranit. Kishte disa sinjale të ndryshme, si deklarata publike kundërshtuese nga Trump, edhe këtë javë, por është e qartë se Netanyahu e kishte informuar paraprakisht.

Dhe sot, Trump është treguar shumë mbështetës.

Pas kësaj mbështetjeje presidenciale qëndron një element kyç: një nga vendimet e fundit të mandatit të parë të Trump ishte përfshirja e Izraelit në CENTCOM (Komanda Qendrore Amerikane). Kjo i mundësoi Izraelit të bëhej pjesë e sistemit të mbrojtjes ajrore dhe raketore rajonale të SHBA-së. Pra, Izraeli nuk po mbështetet më në bombardues amerikanë apo në trupa amerikane në terren, por ka koordinim, bashkëpunim, ndarje informacioni inteligjent, etj.

Duket se Netanyahu e njeh mjaft mirë Trumpin — si në çështjen e Iranit, ashtu edhe të Gazës. Trump mund të thotë se dëshiron një marrëveshje me Iranin. Mund të deklarojë se dëshiron armëpushim në Gaza. Por, qoftë për shkak të mungesës së përqendrimit apo sepse në thelb nuk i intereson aq, ai nuk do të ushtrojë realisht presion ndaj Izraelit për ta ndaluar nga ajo që ka vendosur të bëjë.

Në Gaza, ka pasur shumë kritika lidhur me atë që ka bërë Izraeli. Por, në përgjithësi, historikisht, Amerika i ka lënë Izraelit dorë të lirë në raport me palestinezët. Ndryshe ka qenë situata në çështjet rajonale, ku Amerika gjithmonë ka pasur fjalën e fundit — edhe kur vepronte sipas dëshirës së Izraelit. Si në rastin e vendimit të Trumpit për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore në vitin 2018 — sërish, fjalën e fundit e kishte Uashingtoni.

Edhe në këtë rast, Trump donte një marrëveshje. Po të kishin pranuar iranianët kushtet amerikane për të ndalur pasurimin e uraniumit, mund të kishte pasur marrëveshje. Trump u dha kohë, dhe kur nuk pati përgjigje, Izraeli sulmoi. Në mënyrë të ngjashme, Izraeli kërkonte armëpushim me Hezbollahun në veri, por udhëheqësi i atëhershëm tashmë i ndjerë i Hezbollahut deklaroi: “Jo, ne do të mbështesim vëllezërit tanë në Gaza dhe do të vazhdojmë të godasim Izraelin e ta mbajmë të hapur frontin e dytë.” Ata mund të ishin shpëtuar.

Mund të thuhet se Izraeli mund të kishte ndalur luftën në Gaza dhe kjo do të kishte ndihmuar edhe në stabilitetin rajonal.

Pa diskutim. Por Netanyahu është ende i përkushtuar ndaj pushtimit përfundimtar të Gazës dhe shkatërrimit të palestinezëve… të Hamasit, dhe më pas dëbimit të palestinezëve nga ajo zonë, duke ndjekur atë që ai e quan “plani Trump”: t’ua japë tokën resorteve dhe vendbanimeve izraelite. Kjo mbetet politika zyrtare e Izraelit për Gazën.

A do të mjaftohet tani Izraeli me sulmin ndaj Iranit dhe të heqë dorë nga Gaza, apo, përkundrazi, do ta shfrytëzojë fitoren ndaj “boshtit të rezistencës” për të përfunduar pushtimin e Gazës dhe spastrimin etnik të palestinezëve? Kjo mbetet për t’u parë.

Duke lexuar gazetën tuaj, më bëhet shumë e qartë se shumë njerëz besojnë se Netanyahu po e zgjat luftën në Gaza për arsye të tij personale politike, dhe se nuk mund të ndahen vendimet ushtarake nga dëshirat e tij personale. A është kështu edhe në këtë rast?

Epo, së pari, sa i përket sulmit ndaj Iranit, ka një mbështetje shumë të fortë brenda Izraelit, të paktën brenda shoqërisë hebreje — do të thoja një konsensus pothuajse i plotë. Ne shkruam një editorial ku thoshim “Mos shkoni në luftë”, por kjo është një pikëpamje në minorancë, e cila do të bëhet edhe më e vogël nëse Izraeli arrin të zhdukë programin bërthamor iranian dhe ta detyrojë Iranin të dorëzohet në një formë, ose nëse ndodh ndonjë ndryshim regjimi atje.

Por, përtej kësaj, një nga aftësitë e Netanyahut gjatë gjithë kësaj lufte, edhe kur ai dhe drejtuesit e tij kanë qenë të papëlqyer dhe me mbështetje të ulët në sondazhe, ka qenë ndjekja e politikave që gëzojnë popullaritet. Politika e shkatërrimit dhe madje e pushtimit të pjesshëm të Gazës ka qenë shumë e popullarizuar, si ndëshkim për atë që ndodhi më 7 tetor. Politika e sulmit ndaj Iranit është jashtëzakonisht e mbështetur, dhe nuk ka opozitë të vërtetë ndaj saj në Izrael. E vetmja kundërshti ka qenë frika se mos Izraeli përçante marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, apo frika se një operacion i tillë do të ishte tepër i rrezikshëm për t’u realizuar me sukses.

Çfarë thoshte editoriali juaj? Pse këshilluat kundër këtij sulmi?

Sepse menduam — dhe ende mendojmë — se mënyra më e sigurt për të parandaluar Iranin nga armatosja bërthamore ishte një marrëveshje, në të njëjtën mënyrë si marrëveshja e Obamës, e cila, për tre vitet që ishte në fuqi, pati sukses të konsiderueshëm në ngadalësimin e procesit.

Po cilat janë arsyetimet politike të Netanyahut brenda koalicionit për këtë çështje?

Shiko, Netanyahu e ka përdorur prej shumë vitesh një truk: sa herë që bën diçka që është jopopullore për pjesë të bazës së tij, ai bën sikur po dorëzohet përballë një force më të fuqishme. Pra, kur ndërmerr hapa jopopullorë si zgjatja e luftës në Gaza apo moslirimi i pengjeve nëpërmjet një marrëveshjeje, ai e lë të kuptohet para publikut se nuk mund të veprojë ndryshe, nga frika se e djathta ekstreme do t’i rrëzojë koalicionin.

Ndërkohë, nëse dhe kur ai bie dakord për një marrëveshje me Hamasin, apo nëse në fund pranon një armëpushim në Gaza pa dëbimin e palestinezëve dhe pa dhënien e tokës për vendbanime izraelite, do të thotë: “U detyrova të dorëzohesha para Trumpit. Na duhej mbështetja e Trumpit për Iranin. Na duhet mbulesa diplomatike e Trumpit, etj. Prandaj duhet të dorëzohem përballë Trumpit.”

Tani, pas sulmit ndaj Iranit, e djathta ekstreme nuk do të dojë të largohet nga koalicioni, sepse ka të tjerë që potencialisht mund të bashkohen me të. Kjo i jep Netanyahut një hapësirë shumë më të gjerë për manovrim politik. Natën para sulmit, koalicioni ishte në rrezik — jo të rrëzohej menjëherë, por të niste rënien — për shkak të rebelimit të disa partnerëve ultra-ortodoksë, të cilët kundërshtojnë rekrutimin e fëmijëve të tyre në ushtri. Aktualisht, ata kanë përjashtim nga shërbimi ushtarak. Pra Netanyahu e luajti mjeshtërisht situatën. Arriti të shmangë çdo dëm dhe të mbajë të bashkuar koalicionin.

Ju folët për një opinion publik shumë të bashkuar në Izrael pas këtij sulmi. A është vërtet kështu edhe në nivelet elitare — te shefat e sigurisë dhe ish-shefat, shumë prej të cilëve kanë pasur kritika ndaj Netanyahut dhe madje ndaj politikave të tij të mbrojtjes?

Kritikat e tyre kanë qenë të dyfishta. Së pari, kishin të bënin me nevojën për të koordinuar me Shtetet e Bashkuara — dhe mendoj se Netanyahu e bëri këtë. Së dyti, me faktin që, nëse sulmi do të dështonte, atëherë do të ishte problem. Dhe kjo ende mbetet për t’u parë. Nuk ka përfunduar ende. Nëse Izraeli do të shkatërrohej nga raketat iraniane, do të ishte shumë e vështirë për ta justifikuar këtë veprim.

Por më me rëndësi është se shumë nga këta ish-shefa sigurie, komentatorë të Haaretz dhe të tjerë, nuk i besojnë vendimeve të Netanyahut, për shkak të përfshirjes së tij në skandale politike dhe korrupsion, si edhe për ambiciet e tij autoritare — të mishëruara në përpjekjen për reformën gjyqësore dhe dobësimin e mekanizmave të kontrollit ndaj pushtetit të tij. Këto elemente ngjallin dyshime mbi motivet e tij. Por është e qartë që kjo nuk është diçka që Netanyahu, apo ndonjë tjetër lider, mund ta bënte vetëm. Këtu kemi të bëjmë me një makineri shumë të sofistikuar lufte dhe inteligjence. Nuk është thjesht e djathta ekstreme që po lufton me iranianët.

Çfarë kuptoni me “makineri lufte e sofistikuar”?

Shefat aktualë të sigurisë kanë qenë patjetër të përfshirë në këtë operacion, po ashtu edhe paraardhësit e tyre. Kjo është diçka që është përgatitur prej vitesh. Shumë nga këta kritikë kanë qenë thellësisht të përfshirë në çfarëdo që po ndodh sot në Teheran.

Kemi folur gjatë tani, dhe një gjë që nuk e keni përmendur është nëse situata me Iranin dhe armët bërthamore ka ndryshuar në thelb — nëse rreziku është bërë shumë më i madh tani. A është?

Kjo është shumë e rëndësishme — dhe harrova ta përmend. Më 5 dhjetor, pra gjashtë muaj më parë, Irani e rriti ndjeshëm aktivitetin në objektet e pasurimit të uraniumit, duke i çuar nivelet në një hap larg pragut për prodhimin e armës bërthamore. Kjo u raportua nga Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike. Pra, ata iu afruan shumë prodhimit të bombës. Dhe, nëse shikon kalendarin — ndonëse unë s’jam i njohur me procesin e vendimmarrjes iraniane — mund të thuash se e bënë këtë gjatë periudhës së tranzicionit amerikan, që është gjithmonë një moment i mirë për veprime të tilla, kur administrata në ikje nuk është më vëmendshme dhe ajo e re ende nuk ka hyrë në fuqi. Ata ndoshta menduan se do të hynin në negociata me SHBA-në nga një pozicion më i fortë, duke treguar se janë vetëm pak javë larg uraniumit të pasuruar për armë bërthamore.

Kjo padyshim është pjesë e kalendarit izraelit gjithashtu. Kemi një kombinim këtu: nga njëra anë, papërgjegjshmëria iraniane dhe vendimi i tyre i guximshëm për të ecur me shpejtësi drejt pasurimit të uraniumit; nga ana tjetër, mundësia operacionale e krijuar pas sulmit të tetorit vitin e kaluar. Dhe pastaj ke Trumpin — i pari president amerikan pas shumë vitesh që pranoi të dëgjonte planin izraelit, t’i jepte dritën jeshile, të bashkërendonte dhe më pas ta përshëndeste hapur operacionin, në vend që të thoshte: “Nuk kishim asnjë dijeni. Nuk ishim pjesë. Vetëm e pamë në televizor.”

VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e The New Yorker