
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, dhe Ministri për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, dhanë mesazhe të rëndësishme për nisjen e sezonit veror gjatë mbledhjes së Task Forcës së Turizmit dhe Këshillit Konsultativ Qeveri-Vetëqeverisje Vendore.
Ata kërkuan angazhim maksimal të institucioneve dhe bashkive, me fokus të veçantë tek pastërtia dhe menaxhimi i hapësirave bregdetare.
Ministrja Kumbaro prezantoi planin e masave për sezonin turistik, duke theksuar se dyfishimi i hapësirave publike në plazhe sjell përgjegjësi shtesë për pushtetin vendor.
Për të mbështetur këtë proces, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit do të vijojë edhe këtë vit të forcojë kapacitetet e bashkive bregdetare në fushën e pastrimit.
“Është shtuar sipërfaqja e plazheve publike, kemi dyfishim të tyre dhe këto sipërfaqe janë në ngarkim të bashkive për menaxhim të pastërtisë dhe sigurisë,” deklaroi Kumbaro, duke nënvizuar se do të vijojë operacioni “Plazhe të Pastra” në bashkitë Shkodër, Durrës, Kavajë, Rrogozhinë, Fier, Divjakë, Vlorë, Himarë dhe Sarandë.
Bashkitë e Lezhës dhe Pogradecit nuk përfshihen në këtë skemë për shkak të aftësive të tyre të konsoliduara në menaxhimin e pastrimit.
Ministrja kërkoi më shumë koordinim institucional dhe reagim të shpejtë ndaj çdo problematike:
“Nëse nuk jemi të gjithë në territor për sensibilizim dhe koordinim, do ta kemi shumë të vështirë.”
Ajo i bëri thirrje bashkive të mos shpërfillin asnjë ankesë qytetare dhe theksoi se do të ketë kontrolle në terren gjatë gjithë sezonit.
“Në ka një fjali që duhet ta heqim këtë sezon, është ‘Këtë nuk e kam unë!’… Mos prisni të vijë ankesa te ministrja. Bashkitë ta heqin nga fjalori shprehjen ‘Këtë s’e ka bashkia’ dhe të mos lënë problemet pa zgjidhje,” u shpreh Kumbaro.
Nga ana tjetër, Ministri Arbjan Mazniku theksoi rëndësinë ekonomike që turizmi ka për vetë bashkitë dhe komunitetet lokale:
“Turizmi nuk është vetëm një barrë. Shumica e të ardhurave vitin e kaluar shkoi në bare, restorante, hoteleri, agroushqim dhe transport. Është një sektor që gjeneron të ardhura dhe punësim. Është një ngarkesë, por duhet t’i përgjigjemi këtij fluksi me përgjegjësi,” deklaroi ai.
Dy ministrat theksuan rëndësinë e një bashkëpunimi të ngushtë mes institucioneve qendrore, bashkive dhe komuniteteve për të garantuar një sezon turistik të suksesshëm dhe të qëndrueshëm.