
Një sondazh exit-poll i zhvilluar në raundin vendimtar të zgjedhjeve presidenciale në Poloni sugjeron se gara është tepër e ngushtë për të shpallur një fitues të qartë, përcjell The Guardian. Kandidati liberal, Rafał Trzaskowski, rezulton me një epërsi të lehtë ndaj rivalit të djathtë, Karol Nawrocki, por diferenca mbetet brenda marzhit të gabimit.
Sipas sondazhit të publikuar nga Ipsos Poland menjëherë pas mbylljes së votimeve në orën 21:00 me orën lokale, Trzaskowski mbështetet me 50.3% të votave, ndërsa Nawrocki ndjek me 49.7%. Marzhi i gabimit të sondazhit është 2%.
Pavarësisht epërsisë minimale, Trzaskowski doli menjëherë në skenë në Varshavë për të shpallur fitoren. “Kemi fituar!”, deklaroi ai mes brohorimave të mbështetësve, duke mbajtur një fjalim falënderues për familjen dhe përkrahësit. Nga ana tjetër, Nawrocki nuk e pranoi rezultatin, duke u shprehur se është ende i bindur për fitoren e tij kur të numërohen të gjitha votat.
Gjatë një fushate të ashpër dhe shpesh konfliktuale, dy kandidatët paraqitën vizione tërësisht të ndryshme për të ardhmen e Polonisë. Presidenti i ardhshëm pritet të ketë ndikim të madh në zhvillimet politike të vendit, duke pasur fuqinë për të vënë veton ndaj legjislacionit të qeverisë.
Rafał Trzaskowski, kryetar i Bashkisë së Varshavës dhe një figurë pro-evropiane e qendrës së majtë, mbështet reformimin e ligjeve për abortin dhe njohjen e partneriteteve civile për çiftet LGBT. Ndërkohë, Karol Nawrocki, historian dhe ish-boksier amator, i ka kundërshtuar kategorikisht këto politika dhe është zotuar se do t’i bllokojë nëse zgjidhet president.
Raundi i dytë i zgjedhjeve erdhi pasi asnjë kandidat nuk arriti të marrë mbi 50% të votave në raundin e parë të mbajtur dy javë më parë. Fituesi do të zëvendësojë presidentin aktual Andrzej Duda, aleat i partisë së djathtë Ligj dhe Drejtësi (PiS), i cili largohet në gusht pas dy mandateve.
Ndërsa qeveria e udhëhequr nga Donald Tusk ka hasur vështirësi për të bashkuar koalicionin e gjerë që e solli në pushtet në fund të vitit 2023, ajo gjithashtu ka qenë e penguar nga një president ideologjikisht kundërshtar. Roli i presidentit në Poloni është në thelb ceremonial, por përfshin ndikim në politikën e jashtme dhe të mbrojtjes, si dhe të drejtën për të bllokuar ligje të reja – një kompetencë që mund të zhbëhet vetëm me shumicë prej 60% në parlament, çka koalicioni i Tusk nuk e zotëron.
Një fitore e Trzaskowskit do të lehtësonte qeverisjen për Tusk, ndërsa një mandat për Nawrockin do të zgjaste bllokadën politike, duke e bërë të vështirë miratimin e reformave deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vitin 2027.
“Donald Tusk e di që nëse Nawrocki fiton, ai do të ketë një qeveri ‘kallp’ për dy vitet e ardhshme. Madje do të jetë më keq sesa me Dudën, pasi Nawrocki do të ketë një mandat të ri dhe të fortë, që praktikisht është një referendum për qeverinë,” tha prof. Aleks Szczerbiak, ekspert për politikën e Evropës Qendrore dhe Lindore në Universitetin e Sussex.
Trzaskowski, i diplomuar në Oxford dhe kryebashkiak i Varshavës që nga viti 2018, ka mbajtur poste ministrore dhe ka shërbyer në Parlamentin Evropian. Ai ka synuar të paraqitet si një figurë e qëndrueshme për të punuar me qeverinë në zbatimin e reformave progresive, megjithatë ka përballuar akuza për elitarizëm dhe për financim të huaj të reklamave online gjatë fushatës së tij.
Nga ana tjetër, Nawrocki, drejtor i Institutit të Kujtesës Kombëtare që nga viti 2021 – një institucion shtetëror i kritikuar shpesh për politizimin e historisë – ka qenë subjekt i disa skandaleve mediatike lidhur me sjelljen e tij në të kaluarën.
Në ditët e fundit të fushatës, të dy kandidatët kanë synuar të tërheqin votat e kandidatëve që nuk arritën të kalojnë në raundin e dytë dhe të mobilizojnë mbështetësit e tyre. “Këto zgjedhje mund të vendosen nga një votë e vetme,” tha Nawrocki javën e kaluar në një tubim. Trzaskowski u shpreh po ashtu se çdo votë është vendimtare, duke i bërë thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në votime.
Pjesëmarrja e lartë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2023, sidomos mes të rinjve urbanë, u konsiderua vendimtare për fitoren e koalicionit të Tusk, dhe një mobilizim i ngjashëm mund të jetë çelësi për rezultatin përfundimtar të këtyre zgjedhjeve presidenciale.