
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka uruar fëmijët me rastin e 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve. Në një mesazh të publikuar në rrjete sociale, Veliaj rikujtoi ndërtimin e këndit të lodrave te Parku i Liqenit 9 vite më parë, si dhuratë për fëmijët e kryeqytetit, dhe theksoi përkushtimin e Bashkisë në përmirësimin e kushteve për ta.
“Që nga ajo ditë, nuk kemi ndalur asnjë ditë së punuari për fëmijët: ndërtuam kënde lojërash, çerdhe, kopshte, shkolla të reja dhe më shumë hapësira të gjelbra e terrene sportive,” u shpreh ai. Veliaj pranoi se për disa projekte u deshën vendime të vështira, por që sipas tij ishin të drejta.
Kryebashkiaku përmbylli urimin me një mesazh:
“Për dritën e syve të çdo prindi, ia vlejti. Gëzuar 1 Qershorin kalamaja!”
Ndërkohë, në Tiranë janë organizuar aktivitete festive dhe argëtuese për të gjithë fëmijët me rastin e kësaj dite të veçantë.