Vendosni fjalën kyçe....

Zjarr në spitalin e të moshuarve në Hamburg, tre të vdekur dhe rreth 50 të plagosur


Një zjarr i fuqishëm shpërtheu gjatë natës në një spital për të moshuar në Hamburg të Gjermanisë, duke shkaktuar vdekjen e tre personave dhe plagosjen e rreth 50 të tjerëve. Sipas policisë gjermane, viktimat janë të moshës 84 deri në 87 vjeç, ndërsa tre nga të plagosurit raportohen në gjendje kritike për jetën.

Zjarri nisi rreth mesnatës në katin e parë të ndërtesës së spitalit Marienkrankenhaus. Sipas autoriteteve, shumë nga pacientët e moshuar kishin vështirësi në lëvizje dhe u evakuuan me ndihmën e zjarrfikësve përmes korridoreve të spitalit.

Zëdhënësi i zjarrfikësve, Lorenz Hartmann, konfirmoi se zjarri u vu nën kontroll përpara se të përhapej më tej dhe të kërcënonte pjesën tjetër të pacientëve në ndërtesë.

Policia lokale ka nisur hetimet për të zbardhur shkakun e zjarrit, ndërsa situata mbetet nën vëzhgim të afërt nga autoritetet shëndetësore dhe emergjencës.