
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, gjatë fjalës së saj në Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, vlerësoi mikpritjen dhe organizimin e samitit nga Shqipëria, duke i shprehur mirënjohje kryeministrit Edi Rama për kreativitetin dhe angazhimin.
“Faleminderit shumë, Edi, për mikpritjen e jashtëzakonshme. Si gjithmonë, e bën në mënyrë kreative dhe të veçantë,” tha ajo, duke shtuar se zhvillimi i këtij samiti në Tiranë është një sinjal i rëndësishëm i bashkëpunimit dhe unitetit evropian.
Von der Leyen theksoi se Europa ndodhet në një moment kthese, ku është më e vetëdijshme dhe më e mobilizuar për të reaguar ndaj sfidave ndërkombëtare.
“Sot, Europa është zgjuar. I kemi sytë hapur dhe jemi të bashkuar më shumë se kurrë. Ndërsa më parë u mendua se fundi i Luftës së Ftohtë do të sillte një epokë të stabilitetit, sot po përballemi me çrregullim të shkaktuar nga ambiciet imperialiste të Putinit,” deklaroi ajo.
Duke folur për mbështetjen ndaj Ukrainës, Presidentja e Komisionit Evropian tha se Europa ka qëndruar e palëkundur përkrah vendit të sulmuar nga Rusia, dhe se vetë prania e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në këtë samit është dëshmi e bashkimit dhe vendosmërisë evropiane për të ruajtur sovranitetin dhe paqen.
“Jemi gati të bëjmë më shumë për ta sjellë Putinin në tryezën e negociatave. Po përgatisim një paketë të re sanksionesh, përfshirë edhe ato kundër Nord Stream 1 dhe 2,” shtoi ajo.
Von der Leyen përfundoi fjalën e saj me një mesazh optimizmi për të ardhmen evropiane: “Kemi ardhur në Tiranë për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët dhe nuk kam asnjë dyshim se do t’ia dalim. Kjo është një epokë e re e besimit dhe bashkëpunimit për kontinentin tonë.”