Vendosni fjalën kyçe....

Celibashi reagon pas përplasjes verbale në Vorë: Kandidatët të shmangin praninë në qendrat e votimit


Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka komentuar incidentin e ndodhur në një qendër votimi në Vorë, ku ishte raportuar për një përplasje verbale mes kandidatëve të Partisë Demokratike, Flamur Noka dhe Albana Vokshi, dhe disa qytetarëve.

Në përgjigje të pyetjeve nga mediat, Celibashi tha se nuk kishte informacion të detajuar mbi shkakun e konfliktit, por theksoi rëndësinë e shmangies së tensioneve në terren dhe adresimit të çdo shqetësimi përmes kanaleve institucionale.

“Unë nuk mund të jap detaje mbi bazën e konfliktit, por mund të them me siguri që është më e vlefshme dhe e dobishme që përfaqësuesit politikë të drejtohen tek KQZ-ja për çdo shqetësim,” deklaroi Celibashi.

Ai u bëri thirrje të gjithë kandidatëve për deputetë që të qëndrojnë larg qendrave të votimit gjatë ditës së zgjedhjeve, për të shmangur tensionet apo situata të panevojshme.

“E kuptoj që në terren situatat nuk janë gjithmonë të qeta, por është me vend që kandidatët për deputetë të shmangin praninë në qendrat e votimit,” theksoi ai.