Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius po kërkon një rritje drastike të buxhetit vjetor të mbrojtjes të vendit në mbi 60 miliardë euro duke filluar nga viti 2025, thanë për Reuters dy burime të njohura me këtë çështje.
Në vitin 2024, buxheti i rregullt i mbrojtjes ishte 52 miliardë euro. Ai u plotësua me 20 miliardë euro nga një fond special prej 100 miliardë eurosh i krijuar në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës.
Fondi synon të sjellë në formë ushtrinë e lënë pas dore të Gjermanisë, por do përdoret plotësisht deri në vitin 2028.
Pistorius dëshiron që rritja e buxhetit të hyjë në fuqi në vitin 2025, tha një nga burimet të martën, duke shtuar se ministri synon të mbajë shpenzimet vjetore në mbi 60 miliardë euro për katër vitet e ardhshme dhe se ato do të mbulohen nga planet afatmesme të shpenzimeve të qeverisë.
Një burim i dytë, duke folur gjithashtu në kushte anonimiteti, tregoi të mërkurën se Ministria e Mbrojtjes po synonte një buxhet prej rreth 63 miliardë eurosh në vitin 2025.
Kjo do përfaqësonte një rritje prej 10 miliardë eurosh nga propozimi i buxhetit nën koalicionin e ish-kancelarit Olaf Scholz përpara se ai të rrëzohej nëntorin e kaluar.
“Megjithatë, sfida do jetë se si paratë mund të shpenzohen në kohën e duhur,” shtoi burimi. Në vitin 2024, Ministria e Mbrojtjes pati vështirësi në përmbushjen e objektivit të NATO-s prej 2% të shpenzimeve ushtarake si pjesë e prodhimit kombëtar për shkak të një disbursimi të ngadaltë të fondeve.
Një burim i lartë i qeverisë, i pyetur të mërkurën për objektivin e raportuar prej “mbi 60 miliardë eurosh”, ishte më pak specific. Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes, i kërkuar të komentojë mbi këtë çështje, tha se procesi i buxhetit për vitin 2025 nuk ishte përfunduar.
Pistorius, një socialdemokrat, është i vetmi ministër nga qeveria e mëparshme që ruan pozicionin e tij në koalicionin e ri të kryesuar nga kancelari konservator Friedrich Merz, i cili mori detyrën të martën pas muajsh negociatash.
