Vendosni fjalën kyçe....

Spanja planifikon të shkurtojë orët javore të punës


Qeveria spanjolle arriti një marrëveshje për të ulur numrin e orëve të punës në javë në 37.5 nga 40 që është tani, me kryeministrin Pedro Sanchez që kërkon të përfitojë nga politikat sociale ndërsa po lufton me mbështetjen e dobët në parlament.

“Kanë kaluar më shumë se 41 vjet që nga ndryshimi i orarit të punës në vendin tonë,” tha zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punës Yolanda Diaz të martën pas mbledhjes javore të kabinetit. Shndërrimi nuk është vetëm “një variabël më shumë ekonomik ose i punës. Është një projekt për vendin, një masë që do të modernizojë Spanjën.”

Propozimi do dërgohet në parlament dhe pritet të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm.

Ulja e orarit të punës u ra dakord mes qeverisë dhe përfaqësuesve të sindikatave, ndërsa përfaqësuesit e biznesit u larguan nga negociatat. Nga rregullorja e re do përfitojnë rreth 13 milionë punëtorë në Spanjë, sipas sindikatave. Punonjësit e sektorit publik dhe disa fusha si arsimi kanë tashmë 37.5 orë pune javore dhe numri mesatar i orëve të tanishme javore të punës në Spanjë është 36.4, sipas Eurostat.

“Kjo masë do ketë një ndikim të madh në të gjithë botën e biznesit, si në kompanitë e mëdha ashtu edhe në ato të vogla, dhe synimi është të lehtësojë ekuilibrin familjar dhe atë mes punës dhe jetës dhe të përmirësojë prodhueshmërinë,” tha Blanca Mercado, një avokate në KPMG Abogados.

Nëse plani kalon në Kongres, Spanja do jetë ndër vendet evropiane me më pak orë pune në javë.

Kryeministri Sanchez ka vendosur “dinjitetin e punës” si një nga prioritetet e qeverisë “në mënyrë që të gjithë spanjollët të punojnë për të jetuar dhe jo të jetojnë për të punuar”, tha ai më parë.

Qeveria javën e kaluar gjithashtu ra dakord të rrisë pagën minimale me 4.4% në 2025, duke e çuar rritjen që kur Sanchez u bë kryeministër në më shumë se 60%.

Me shkallën e papunësisë në nivelin më të ulët në më shumë se 15 vjet dhe ekonominë si performuesin më të mirë në mesin e anëtarëve më të mëdhenj të zonës së euros, Sanchez ka dështuar të përfitojë politikisht nga kjo paraqitje e mirë, pasi ka ngecur në miratimin e ndonjë ligji të rëndësishëm dhe parlamenti nuk ka miratuar një buxhet që nga viti 2023.