Sot në Tiranë u prezantua fillimi i Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve 2024-2025. Të pranishëm në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast ishin Kryeministri Edi Rama, ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu dhe drejtues të partnerëve ndërkombëtarë në fushën e arsimit, mësues dhe përfaqësues të institucioneve arsimore.
Moderuesi i këtij aktiviteti të rëndësishëm, ish-studenti i Harvardit, Dean Çelaj, prezantoi platformën moderne në shërbim të arsimtarëve, e cila është e bazuar në inteligjencën artificiale.
Përgjatë këtij prezantimi, Çelaj me anë të një videoje ka paraqitur një mësuese virtuale (të quajtur Aida) të krijuar nga AI, ku i kërkoi asaj t’i formulonte një pyetje të vështirë për të testuar njohuritë e nxënësve në ‘temën e fotosintezës në Biologji’. Çelaj i kërkoi gjithashtu asaj njëkohësisht edhe zgjidhjen.
Mësuesja virtuale brenda pak sekondash shihet tek formulon pyetjen e ushtrimit, por edhe duke i dhënë zgjidhjen e saktë.
Çelaj tha se nëpërmjet kësaj platforme mund të arrihet mësimi i personalizuar sipas nevojave dhe kërkesave të çdo nxënësi, gjë që njihet si maja e arsimit.
Por Çelaj u shpreh se: “Teknologjia mund të shërbejë se burim i rëndësishëm informacioni, por kurrë nuk mund të zëvendësojë motivimin dhe punën e çdo mësuesi në klasë.”
Ish studenti i Harvardit e quajti këtë platformë si të ardhmen e afërt që na pret.
Dean Çelaj është i riu shqiptar, i renditur në listën e 30 njerëzve më të suksesshëm nga revista prestigjioze “Forbes”.
Çelaj është krijues i shumë projekteve teknologjike ndërkombëtare në bashkëpunim me universitetin e Harvardit. Ai u bë i njohur gjatë pandemisë së COVID-19, nëpërmjet platformës “akademi.al”, ku me krijimin e tij ndihmoi mbi 500,000 nxënës të aksesonin mësimin online falas.