Vendosni fjalën kyçe....

Gjendet trupi i pajetë i ish-futbollistit të Çelsit, vdiq nga tërmeti në Turqi


Trupi i ish-futbollistit të Newcastle dhe Chelsea, Christian Atsu, u gjet në rrënojat e një blloku apartamentesh të larta në provincën turke Hatay, sipas agjentit të tij.

Atsu ishte zhdukur që prej sëhënës së 6 shkurtit pas tërmeteve shkatërrimtare që tronditën Turqinë dhe Sirinë, duke lënë mbi 40 mijë viktima në dy vendet.

Atsu, 31 vjeç, i cili iu bashkua gjigantëve të Premierligës, Chelsea në vitin 2013, u konfirmua si i vdekur nga agjenti i tij të shtunën.

“Me zemër të rënduar më duhet t’u njoftoj të gjithë dashamirësve se mjerisht trupi i Christian Atsu u gjet këtë mëngjes,” shkroi Nana Sechere në Twitter.

Fillimisht u mendua se futbollisti ishte shpëtuar një ditë pas tërmeteve, por ato raportime rezultuan të rreme. Trupi i tij u gjet të shtunën në Ronesans Residence, një bllok me 249 apartamente në qytetin Antakya në Turqinë jugore. Ndërtesa supozohet se ishte ‘e qëndrueshme ndaj tërmeteve’.

Zhvilluesi i kompleksit të banimit, Mehmet Yasar Coskun, u arrestua në aeroportin e Stambollit teksa tentoi të hipte në një fluturim për në Mal të Zi të premten e kaluar, sipas agjencisë së lajmeve Anadolu.

“Nuk ka fjalë për të përshkruar trishtimin tonë”, shkroi në Twitter klubi turk Hatayspor, të cilit Atsu iu bashkua shtatorin e kaluar.

“Nuk do të të harrojmë, Atsu. Paqja qoftë mbi ty, njeri i mirë.”

Newcastle United e Chelsea, klubet me të cilat luajti Atsu, shkruan në mediat sociale se ishin ‘thellësisht i pikëlluar’ nga lajmi për vdekjen e tij.

Atsu, i cili luajti 65 herë për Ganën dhe u emërua lojtari i turneut në Kupën e Kombeve të Afrikës 2015, shënoi golin e tij të parë për Hatayspor në një ndeshje të Super Ligës pak ditë para tërmeteve.