Vendosni fjalën kyçe....

BE-ja flet hapur pas bisedimeve me Rusinë: Moska po kërcënon sigurinë e Europës, duhen marrë masa


Rusia po kërcënon Ukrainën me një ‘ndërhyrje të re’ dhe po vë në rrezik sigurinë e Evropës, tha të mërkurën Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme.

Në një deklaratë të botuar në internet përpara një takimi të ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes të BE-së në Francë, Josep Borrell tha se blloku tani duhet ‘të përcaktojë se çfarë  mund të bëjë për të mbështetur rendin e sigurisë në Evropë dhe parimet që e mbështesin atë’, të cilat sipas tij janë nën kërcënim.

“Rusia i është drejtuar Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s propozime për të ardhmen e sigurisë në Evropë që bien ndesh me parimet e arkitekturës evropiane të sigurisë.”  tha Borrell, kryediplomati i BE-së.

“Ato shoqërohen nga një grumbullim trupash e pajisjesh ushtarake në kufirin e Ukrainës dhe kërcënimi i hapur nga Rusia për të ndërmarrë veprime ushtarake nëse këto kërkesa nuk përmbushen.” – shtoi ai.

Borrell akuzoi gjithashtu Rusinë se dëshiron të rindërtojë ‘gjeopolitikën sovjetike’ në Evropë.

Komentet e Borrell pasojnë një takim midis SHBA-së dhe Rusisë të mbajtur në Gjenevë në fillim të kësaj jave. Zëvendës Sekretarja e Shtetit e SHBA, Ëendy Sherman dhe zëvendësministri i Jashtëm rus Sergey Ryabkov folën për gati tetë orë në lidhje me propozimet e paraqitura nga Moska në dhjetor për garancitë ligjërisht të detyrueshme të sigurisë, duke përfshirë ndalimin e vendosjes së armëve dhe kufizimet në stërvitjet ushtarake.