Ashtu si në Tiranë, edhe në qytetin e Durrësit u mblodhën mbrëmë protestues në qendër të qytetit duke u vënë flakën dekorimeve të bashkisë për festat e fundvitit.
Pas kësaj, policia e Durrësit ka arrestuar 7 persona si dhe ka proceduar 15 të tjerë. Personat akuzohen organizuan grumbullim dhe manifestim të paligjshëm.
2 shtetas të tjerë janë shpallur në kërkim.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në përfundim të veprimeve të kryera në lidhje me protestën e paligjshme të zhvilluar ditën e djeshme, përpara Bashkisë Durrës e më pas përpara godinës së Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, arrestuan në flagrancë, për veprat penale ‘Kundërshtimi i punonjësit të Policisë’, ‘Shkatërrim i pronës’, ‘Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit’, ‘Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshëm’, shtetasit:
- Sh., A. Xh., Xh. S., A. D., A. L., E. Zh. dhe A. M.
Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht, për veprën penale ‘Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme’ 3 shtetas (organizatorë të protestës), dhe për veprën penale ‘Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit’ 12 shtetas.
Gjithashtu u bë shpallja në kërkim, për veprat penale ‘Shkatërrim i pronës’, ‘Kundërshtim i punonjësit të Policisë’, ‘Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme’, e 2 shtetasve.
Shtetasit e lartpërmendur kanë protestuar në mënyrë të paligjshme, nuk i janë bindur urdhrit të Policisë për t’u shpërndarë dhe kanë bllokuar lëvizjen e mjeteve në qytet.”– njofton sot policia.
Dhjetëra të rinj u mblodhën mbrëmjen e kaluar në qytetin bregdetar për të protestuar kundër vrasjes së 25 vjeçarit Klodian Rasha nga një punonjës policie.
Protestuesit i vunë flakën pemës dhe dekorimeve të bashkisë për festat e fundvitit, ndërsa kaluan dhe në godinën e policisë, ku lëshuan disa fishekzjarrë ndaj saj.