
Revolta qytetare që kërkon largimin e qeverisë dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama ka hyrë sot në ditën e 47-të, ndërsa në Kuvend zhvillohet seanca e radhës plenare.
Në prag të nisjes së punimeve parlamentare, në oborrin dhe ambientet përreth Parlamentit janë vendosur forca të shumta policore, si dhe autobote me ujë për ndërhyrje në rast të protestave të mundshme.
Megjithatë, deri në këto momente, në zonën përreth Kuvendit nuk janë konstatuar protestues.
Masat e shtuara të sigurisë janë marrë pas zhvillimeve të seancave të mëparshme, ku para Parlamentit u zhvillua një protestë kundër qeverisë dhe pati përplasje mes qytetarëve dhe forcave të policisë.
Gjatë atij tubimi, policia përdori spraj lotsjellës dhe u raportua për arrestimin e 19 protestuesve, të cilët më pas u liruan nga gjykata.
Protesta qytetare, e cila vijon prej më shumë se një muaji e gjysmë, pritet të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim, ndërsa organizatorët kanë deklaruar se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre politike.