
Agjencia kryesore e investimeve e kryeministrit kanadez Mark Carney u ka dhënë një mesazh të drejtpërdrejtë zyrtarëve të Emiratet e Bashkuara Arabe që synojnë të investojnë miliarda dollarë në Kanada: për momentin nuk ka projekte ku mund të vendoset ky kapital.
Tre zyrtarë, që folën në kushte anonimiteti, thanë se në mesin e muajit qershor, Major Projects Office (MPO) me seli në Calgary i komunikoi një delegacioni zyrtar nga Emiratet se ishte ende herët për të injektuar kapital në Kanada.
“Kryeministri vazhdon të flasë për angazhimin prej 70 miliardë dollarësh kanadezë (49 miliardë dollarë amerikanë) që siguroi nga Emiratet gjatë vizitës së tij të parë në nëntor. Por asnjë pjesë e këtyre fondeve nuk është investuar ende,” tha një zyrtar kanadez.
Carney siguroi një angazhim investimi prej 50 miliardë dollarësh amerikanë nga presidenti i Emirateve, Mohamed bin Zayed Al Nahyan, dhe Princi i Kurorës së Abu Dhabit, Khaled bin Mohamed bin Zayed Al Nahyan, të cilët e shpallën zyrtarisht marrëveshjen në nëntor. Abu Dhabi administron pothuajse 2 trilionë dollarë në fondet e tij sovrane.
Megjithatë, pasi Carney organizoi në mesin e qershorit mbledhjen e Këshillit të Biznesit Kanada–Emiratet në Otava, MPO refuzoi kërkesat e përfaqësuesve të delegacionit emiratas që po kërkonin mundësi konkrete investimi. Arsyeja ishte mungesa e projekteve që ndodhen në një fazë të mjaftueshme zhvillimi për të pranuar investime.
Ish-kryeministri i Kebekut, Jean Charest, bashkëkryetar i këtij këshilli, tha se MPO përfaqëson vetëm një pjesë të projekteve të mundshme.
“Ata dhanë të vetmen përgjigje që mund të jepnin në këtë moment: nuk jemi ende gati. Por kjo është e njëjta përgjigje për të gjithë,” u shpreh ai.
Pavarësisht këtij ngërçi, Charest tha se Carney po ndryshon perceptimin se Kanadaja është një vend ku është jashtëzakonisht e vështirë të realizohen projekte të mëdha.
Ndërkohë po shtohet presioni ndaj kryeministrit që deri në samitin e investitorëve në Toronto, në shtator, të paraqesë projekte të gatshme për zbatim (“shovel-ready”), me synimin për të tërhequr investime totale prej 1 trilion dollarësh gjatë pesë viteve të ardhshme.
Një zyrtar i Emirateve tha se investimet e propozuara do të ndjekin procesin normal të investimeve të huaja, i cili kërkon shqyrtim të hollësishëm të mundësive dhe planifikim, procese që zakonisht marrin kohë.
“Ne vazhdojmë të punojmë ngushtë me Kanadanë në të gjitha nivelet – federal, provincial dhe me sektorin privat,” tha ai, duke e cilësuar marrëdhënien Kanada–Emiratet si “një nga partneritetet më të rëndësishme në botë”.
Që prej marrjes së detyrës në mars të vitit të kaluar, Carney është zotuar të dyfishojë tregtinë me partnerët jashtë SHBA-së dhe ta shndërrojë ekonominë kanadeze në më të fortën e vendeve të G7.
Rreth një vit më parë ai krijoi Major Projects Office, një agjenci qeveritare që synon të përshpejtojë më shumë se 20 projekte me vlerë të përgjithshme 135 miliardë dollarë.
Edhe pse Emiratet janë një nga partnerët kryesorë në strategjinë e diversifikimit të investimeve të Carney-t, projektet që po diskutohen me MPO ndodhen ende në fazën paraprake, në pritje të përfundimit të procedurave rregullatore, ligjore, konsultimeve dhe sigurimit të financimit.
Carney ka urdhëruar gjithashtu stafin e tij të finalizojë marrëveshjen e tregtisë së lirë mes Kanadasë dhe Emirateve, e cila pritet të nënshkruhet gjatë këtij muaji.
Gjatë vizitës në Emirate në nëntor, ai deklaroi se një marrëveshje për mineralet kritike me vlerë mbi 1 miliard dollarë ishte “në proces finalizimi”. Nëntë muaj më vonë, ajo ende nuk është materializuar.
As Zyra e Këshillit Privat të Kanadasë dhe as MPO nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
Në përgjigje të pyetjeve të detajuara, një zëdhënës i ministrit të Tregtisë Ndërkombëtare, Maninder Sidhu, tha se “vlerësojmë marrëdhënien tonë të fortë dhe në rritje me Emiratet e Bashkuara Arabe”.
Të enjten, Carney njoftoi një seri projektesh që, sipas tij, “do të gjenerojnë më shumë se 200 miliardë dollarë kanadezë investime të reja direkte”, mes tyre edhe propozimin për ndërtimin e një naftësjellësi me kapacitet 1 milion fuçi në ditë nga Alberta drejt bregdetit perëndimor të British Columbia.
Kur u pyet për mungesën e investitorëve privatë në këtë projekt, kryeministrja e Albertës, Danielle Smith, tha se tre projekte të mëparshme të ngjashme kishin dështuar, duke i bërë investitorët tepër të kujdesshëm.
“Kompanitë e gazsjellësve dhe naftësjellësve kanë shpenzuar fjalë për fjalë miliarda dollarë gjatë viteve të fundit në procese rregullatore që përfunduan pa sukses. Ky është realiteti me të cilin përballemi dhe kërkon kohë për ta ndryshuar,” tha ajo.
Sipas Charest, delegacioni i Emirateve ka shfaqur interes për të marrë pjesë në projektin e naftësjellësit dhe, në përgjithësi, po shqyrton mundësi investimi në sektorin energjetik kanadez.
“Këto janë fusha që ata i njohin mirë dhe ku kanë përvojë,” tha ai.
Ndërkohë që lufta tregtare e presidentit amerikan Donald Trump ka tronditur ekonominë kanadeze, vendi përballet edhe me probleme strukturore si burokracia dhe barrierat tregtare mes provincave.
Shoqata Kanadeze e Prodhuesve të Naftës rekomandoi ndryshime të shpejta dhe të synuara në politikat ekonomike, më të harmonizuara me SHBA-në, si mënyrën më të mirë për të nxitur investimet e huaja.
Presidentja e shoqatës, Lisa Baiton, shkroi në një raport të muajit maj se Kanadaja ka nevojë për “një sistem tatimor konkurrues dhe efikas, procese rregullatore më të thjeshta dhe të parashikueshme, si edhe zgjerim të infrastrukturës së eksporteve”.
Për të forcuar eksportet, MPO po përshpejton projektin e terminalit të kontejnerëve në Contrecoeur, në portin e Montrealit, të cilin kompania me bazë në Dubai, DP World, synon ta përfundojë deri në vitin 2030, shkruan FT.
Drejtori operativ i DP World në Kanada, Joel Werner, tha se objektivi është sigurimi i investimit deri në gjysmën e parë të vitit 2027.
“Contrecoeur është një prioritet global për DP World,” deklaroi ai.
Edhe drejtori ekzekutiv i Royal Bank of Canada, David McKay, u shpreh në një aktivitet në qershor se, pasi sektori privat ishte “penguar” për gati një dekadë, tani pret që qeveria, komunitetet autoktone dhe aktorët e tjerë të koordinohen më mirë.
“E shoh këtë përparim nga brenda dhe ne po e mbështesim,” tha ai.
Ndërsa pyetjes se si do të financohen të gjitha prioritetet e Kanadasë, Jean Charest iu përgjigj shkurt:
“Kjo është një pyetje shumë e mirë.”