Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar më shumë se 1.4 miliardë dollarë të ardhura nga sipërmarrjet familjare në fushën e kriptovalutave gjatë vitit 2025, sipas formularit të tij më të fundit financiar të publikuar nga Zyra Amerikane e Etikës Qeveritare.
Sipas dokumenteve, kompanitë e Trump kanë përfituar gati 800 milionë dollarë nga World Liberty Financial, platforma e kriptovalutave e themeluar prej tij dhe djemve të tij. Kjo shumë përfshin mbi 520 milionë dollarë nga shitja e tokenëve dhe më shumë se 250 milionë dollarë nga shitja e pjesëmarrjeve në biznes.
Trump ka raportuar gjithashtu 635 milionë dollarë të ardhura nga shitja e monedhave dixhitale Trump meme coin.
Të dhënat tregojnë rritjen e ndjeshme të të ardhurave nga sektori i kriptovalutave. Një vit më parë, Trump kishte deklaruar vetëm 57.35 milionë dollarë nga shitja e tokenëve të World Liberty Financial, ndërsa këtë vit të ardhurat janë rritur gati nëntëfish.
Sipas një vlerësimi të Reuters, familja Trump ka përfituar të paktën 2.3 miliardë dollarë nga projektet e lidhura me kriptovalutat që prej rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2025.
Pasi mori detyrën, Trump ndërmori një sërë masash që industria e kriptovalutave i konsideroi pozitive, përfshirë vendosjen e rregullave federale për stablecoin-et dhe lehtësimin e mbikëqyrjes nga Departamenti i Drejtësisë dhe Komisioni Amerikan për Letrat me Vlerë (SEC).
Përveç të ardhurave nga kriptovalutat, presidenti raportoi edhe mbi 80 milionë dollarë nga marrëveshje me kompani mediatike, si dhe 52 milionë dollarë nga licencimi i emrit të tij për projekte të pasurive të paluajtshme jashtë SHBA-së, kryesisht në Lindjen e Mesme.
Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë çdo pretendim për konflikt interesi, duke deklaruar se “as presidenti dhe as familja e tij nuk janë përfshirë dhe nuk do të përfshihen kurrë në konflikte interesi”, ndërsa theksoi se Trump e ka bërë SHBA-në “kryeqytetin botëror të kriptovalutave” përmes politikave të administratës së tij.
