Vendosni fjalën kyçe....

Evis Kushi këshillon protestuesit të mos përdorin gjuhë urrejtjeje dhe të ruajnë qetësinë



Deputetja e Partisë Socialiste, Evis Kushi, u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes në komunikimin publik dhe të shmangin gjuhën e urrejtjes, ndërsa ka theksuar se protesta dhe shprehja e pakënaqësive janë të drejta themelore demokratike.

Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Kushi tha se gjatë ditëve të fundit është vënë re një gjuhë e ashpër urrejtjeje në hapësirën publike dhe në rrjetet sociale.

“Gjatë këtyre ditëve të gjithë jemi dëshmitarë të një gjuhe urrejtjeje të jashtëzakonshme në rrjetet sociale dhe hapësirën publike. Respektoj të drejtën e çdo qytetari për të protestuar dhe për të shprehur pakënaqësinë e tij. Protesta është një e drejtë demokratike dhe zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet. Por pakënaqësia nuk mund të justifikojë gjuhën e urrejtjes, fyerjet, mallkimet dhe sulmet personale. Demokracia forcohet nga argumenti dhe respekti, jo nga përçarja”, shkroi ajo.

Deputetja socialiste theksoi gjithashtu rëndësinë e përcjelljes së vlerave të respektit dhe dialogut te brezat e rinj, duke nënvizuar se qytetaria dhe debati konstruktiv duhet të mbizotërojnë ndaj agresivitetit verbal.

Duke komentuar situatën e krijuar pas protestave të fundit, Kushi u shpreh se, krahas qytetarëve që dalin në shesh, ka edhe shumë të tjerë në Shqipëri dhe në diasporë që mbështesin rrugën e integrimit evropian të vendit.

Sipas saj, sfidat me të cilat përballet Shqipëria nuk zgjidhen përmes përçarjes, por përmes bashkëpunimit, funksionimit të institucioneve dhe vazhdimit të reformave.

“Shqipëria ka nevojë për stabilitet, për institucione që funksionojnë, për vazhdimësi në reformat e nisura dhe dialog mes palëve sa herë që lindin paqartësi apo pakënaqësi. Shqipëria fiton jo kur thellohen ndarjet, por kur jemi bashkë dhe e duam njëri-tjetrin”, përfundoi Evis Kushi.

Reagimi i saj vjen pas debatit të krijuar nga një intervistë e kryeministrit Edi Rama për gazetën Financial Times, ku përdorimi i një shprehjeje fyese ndaj protestuesve ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik dhe në politikë.