
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me protestat që prej 24 ditësh po zhvillohen në Tiranë dhe në qytete të tjera, duke i cilësuar protestuesit si persona të përdorur nga aktorë politikë, mediatikë dhe interesa të ndryshme që, sipas tij, kërkojnë të përfitojnë nga pakënaqësia qytetare.
Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Rama publikoi fotografinë e një protestuesi të ulur përpara godinës së Kryeministrisë dhe iu drejtua atij me një letër të hapur, ku fillimisht shprehu mirëkuptim për shqetësimet dhe problemet që, sipas tij, mund ta kenë shtyrë të marrë pjesë në protestë.
“Nuk të shoh si humbësin e një proteste, po si njeriun e mbetur vetëm me bindjet e tij”, shkruan Rama, duke shtuar se protestuesit mund të jenë të shqetësuar për çështje të ndryshme, që nga kushtet e punës, problemet ekonomike, shëndeti në familje apo çështjet e pronësisë.
Kryeministri pretendon se e kupton zemërimin e qytetarëve dhe se vetë është i pakënaqur me raste abuzimi, padrejtësie apo korrupsioni në administratë.
“Besoje ose jo, po unë e ndjej brengën tënde. Sepse jo vetëm të kuptoj, po edhe të mirëkuptoj”, shkruan ai.
Megjithatë, pjesa më e fortë e reagimit të Ramës i drejtohet organizatorëve, mbështetësve dhe figurave publike që kanë mbështetur protestat. Kryeministri akuzon politikanë, komentatorë, influencerë dhe aktivistë se po përdorin qytetarët për interesat e tyre politike dhe personale.
“Ata që të thirrën për t’u bërë ‘deti i Shqipërisë së re’ sot nuk janë askund”, shprehet Rama.
Ai sulmon gjithashtu opozitën dhe zërat kritikë ndaj qeverisë, duke pretenduar se protestuesit po manipulohen nga persona që kërkojnë rikthimin në pushtet ose përfitime personale.
Në fund të mesazhit të tij, Rama i bën thirrje protestuesve të mos lejojnë që pakënaqësitë e tyre të përdoren nga të tjerët dhe këmbëngul se nuk e konsideron veten armik të tyre.
“Unë jam miku, jo armiku yt”, shkruan kryeministri.
Postimi përmbyllet me një sulm të drejtpërdrejtë ndaj atyre që, sipas tij, nxisin protestat, duke deklaruar:
“Kush do që drita të shtohet më shumë dhe errësira të tretet më shpejt është i bekuar, sadoqoftë jo dakord me mua. Ndërsa ata që do të rikthehen sonte në mbrëmje për të përdorur trupin e mishin tënd, janë vetë errësira e një mallkimi të vjetër mbi Shqipërinë.”
Reagimi i Ramës vjen në një kohë kur protestat kundër qeverisë kanë hyrë në javën e katërt, me mijëra qytetarë që vijojnë të mblidhen çdo mbrëmje në Tiranë dhe në qytete të tjera, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe ndryshime politike në vend.