Vendosni fjalën kyçe....

Ndryshime në Policinë e Shtetit, emërohen drejtues të rinj në disa qarqe dhe struktura policore



Policia e Shtetit ka njoftuar një sërë ndryshimesh në nivelet drejtuese të saj, pas përfundimit të konkurrimeve për drejtues qarqesh, si dhe në kuadër të lëvizjeve dhe emërimeve të reja në strukturat vendore të policisë.

Sipas vendimeve të bëra publike, Drejtuesi Ardrit Elmazi, i shpallur fitues në konkurrimin për Drejtor Qarku, është emëruar në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës.

Po ashtu, Drejtuesi Dashamir Spaho, gjithashtu fitues në konkurrimin për Drejtor Qarku, është emëruar Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër.

Ndërkohë, Drejtuesi i Parë Xhevahir Karaj është emëruar Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, pas shpalljes fitues në të njëjtin proces konkurrimi.

Një tjetër ndryshim ka të bëjë me Drejtuesin Armir Gjikolaj, i cili mbante detyrën e Drejtorit të Policisë Dibër. Pas dorëheqjes së tij nga kjo detyrë, me kërkesën personale, ai është emëruar Drejtor i Qendrës së Mbyllur të të Huajve.

Ndryshime janë bërë edhe në nivelet e drejtimit të komisariateve dhe strukturave të sigurisë publike.

Kryekomisar Idris Daulle është emëruar Zëvendësdrejtor për Sigurinë Publike në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës.

Ndërsa Kryekomisar Erion Duma është emëruar Shef i Komisariatit të Policisë Shkodër, në varësi të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër.

Po në qarkun e Shkodrës, Komisar Klodjan Çeka është emëruar Shef i Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe.

Ndërkohë, Komisar Sokol Myrta është emëruar Shef i Komisariatit të Policisë Mirditë, në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë.

Këto lëvizje vijnë në kuadër të riorganizimit dhe forcimit të strukturave drejtuese të Policisë së Shtetit, me synim rritjen e efektivitetit në menaxhimin e sigurisë publike dhe përmirësimin e performancës së strukturave policore në nivel vendor.