Ish-kryeministri i Izraelit, Naftali Bennett, ka pranuar publikisht se Izraeli ka kontrabanduar mijëra pajisje interneti satelitor Starlink në Iran, me qëllim mbështetjen e protestuesve kundër regjimit iranian.
Gjatë një fjalimi në Samitin Ndërkombëtar të Politikave të JNS në Jerusalem, Bennett deklaroi se gjatë kohës së tij në qeveri kishte nisur një proces për sigurimin dhe futjen e dhjetëra mijëra marrësve Starlink në territorin iranian, përcjell Reuters.
“Nisëm një proces për blerjen dhe kontrabandimin në Iran të dhjetëra mijëra receptorëve Starlink që do të garantonin vazhdimësinë e internetit dhe rrjeteve sociale,” tha Bennett.
Sipas tij, pajisjet synonin t’u mundësonin protestuesve iranianë të koordinonin veprimet e tyre dhe në fund të rrëzonin regjimin në Teheran.
Megjithatë, Bennett akuzoi qeverinë aktuale të kryeministrit Benjamin Netanyahu se e ndërpreu këtë projekt.
“Fatkeqësisht, qeveria aktuale e paaftë izraelite ndaloi zbatimin e këtij plani. Kur shpërthyen protestat, ajo infrastrukturë nuk ishte aty,” u shpreh ai.
Starlink, shërbimi i internetit satelitor në pronësi të kompanisë SpaceX të Elon Musk, nuk është i licencuar zyrtarisht për të operuar në Iran. Megjithatë, Musk ka deklaruar më parë se shërbimi është aktiv në vend.
Autoritetet iraniane kanë akuzuar vazhdimisht Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara për futjen e paligjshme të pajisjeve Starlink në Iran, duke pretenduar se ato përdoren për të minuar sigurinë kombëtare.
Bennett, i cili pritet të jetë një nga rivalët kryesorë të Netanyahut në zgjedhjet e ardhshme, bëri thirrje që Izraeli dhe vendet e tjera të Lindjes së Mesme të bashkojnë forcat për të përballur regjimin iranian.
“Është një regjim i kalbur, i vjetër, i shkëputur nga realiteti dhe i paaftë. Ai do të bjerë ashtu siç ra Bashkimi Sovjetik,” deklaroi ish-kryeministri izraelit.
