Vendosni fjalën kyçe....

Akademiku italian Antonio De Lucia: Në Shqipëri po shkruhet një nga faqet më të rëndësishme të mobilizimit popullor në Europë



Antonio De Lucia, president i SIDRI-së (Shoqata Italiane e Doktorëve të Kërkimit), profesor i asociuar i Kontabilitetit të Menaxhimit në Universitetin e Napolit “Parthenope” dhe autor i botimeve mbi marrëdhëniet mes lobimit, interesave ekonomike dhe institucioneve publike, ka reaguar lidhur me protestat e zhvilluara në Shqipëri kundër projekteve të diskutueshme të zhvillimit në zona bregdetare dhe të mbrojtura.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, De Lucia e cilësoi lëvizjen qytetare shqiptare si “Mësimi Shqiptar”, duke e përshkruar atë si një nga mobilizimet popullore më domethënëse në Europë gjatë viteve të fundit.

“Në Shqipëri po shkruhet një nga faqet më të rëndësishme të mobilizimit popullor të viteve të fundit në Europë, diçka që unë do ta quaja Mësimi Shqiptar, dhe ndërsa e shkruaj këtë më kalojnë mornica në trup”, shprehet ai.

Sipas De Lucias, prej javësh dhjetëra mijëra qytetarë kanë dalë në sheshe për të kundërshtuar atë që ai e konsideron si shitjen graduale të territorit dhe pasurive natyrore të vendit.

“Një mobilizim që lindi për të mbrojtur një ishull, një bregdet, një territor, por që ditë pas dite është shndërruar në diçka shumë më të madhe: kërkesa e një populli për të vendosur mbi të ardhmen e vet”, thekson ai.

Akademiku italian argumenton se protesta nuk ka të bëjë më vetëm me kundërshtimin e ndërtimit të resorteve luksoze apo shfrytëzimin ekonomik të zonave të mbrojtura, por me mbrojtjen e dinjitetit kombëtar dhe të drejtës së qytetarëve për të vendosur mbi fatin e vendit të tyre.

“Në ato sheshe gjendet zemërimi i atyre që shohin vendin e tyre të shitet copë pas cope, dinjiteti i atyre që refuzojnë të qëndrojnë spektatorë ndërsa toka e tyre trajtohet si mall dhe guximi i një brezi që ka vendosur të mos heshtë”, shkruan ai.

De Lucia vlerëson se protestat në Shqipëri po japin një mesazh më të gjerë për Europën.

“Kur një popull ndërgjegjësohet për forcën e vet, asnjë qeveri, asnjë miliarder dhe asnjë interes ekonomik nuk mund ta injorojë më”, deklaron ai.

Në reagimin e tij, ai shton se në një Europë ku shpesh mbizotëron ndjenja e dorëzimit dhe bindja se asgjë nuk mund të ndryshojë, qytetarët shqiptarë po tregojnë se pjesëmarrja popullore mbetet një forcë reale.

“Shqiptarët po i kujtojnë Europës se pjesëmarrja qytetare nuk është një relike e së kaluarës. Ata po dëshmojnë se ende ekzistojnë qytetarë të gatshëm të dalin në rrugë për të mbrojtur identitetin, territorin, sovranitetin dhe dinjitetin e tyre”, shprehet ai.

Në përfundim të reagimit të tij, Antonio De Lucia thekson se pasuria e vërtetë e një kombi nuk matet me resortet, investimet apo marrëveshjet e mëdha ekonomike, por me dinjitetin e qytetarëve të tij.

“Dhe dinjiteti, kur një popull vendos ta mbrojë, nuk është në shitje. Shqipëria nuk është në shitje”, përfundon ai.