Vendosni fjalën kyçe....

Grumbullimi i trupave ruse kërcënon Kostyantynivkën, qytetin kyç për kontrollin e Donbasit


Forcat ruse po shtojnë presionin mbi qytetin strategjik të Kostyantynivkës në lindje të Ukrainës, në një përpjekje për ta rrethuar dhe marrë nën kontroll, ndërsa komandantët ukrainas pranojnë se situata mbetet e vështirë pavarësisht se mbrojtja vazhdon.

Sipas raportimeve nga terreni, ushtarë rusë kanë arritur të depërtojnë në disa zona të qytetit dhe po përpiqen të krijojnë pozicione në pjesë të ndryshme të tij.

Burime ushtarake ukrainase i thanë BBC-së se Kostyantynivka është shndërruar praktikisht në një “zonë gri”, ku kontrolli ndryshon vazhdimisht dhe luftimet zhvillohen pranë zonave urbane.

Qyteti konsiderohet porta hyrëse drejt pjesës tjetër të Donbasit. Nëse bie në duart e Rusisë, Moska do të kishte mundësi të shtyjë ofensivën drejt Kramatorskut dhe Slovianskut, bastionet e fundit të mëdha ukrainase në rajon.

Gjenerali ukrainas Oleksandr Bakulin deklaroi se situata mbetet nën kontroll dhe mohoi pretendimet ruse për rrethimin e forcave ukrainase. Megjithatë, ai pranoi se rreth 130 ushtarë rusë vazhdojnë të operojnë brenda qytetit.

Ndërkohë, një oficer ukrainas i angazhuar në mbrojtjen e zonës tha se rusët po arrijnë të fusin gjithnjë e më shumë trupa në qytet, duke përfituar nga terreni urban dhe mbulesa që ofrojnë ndërtesat dhe vegetacioni gjatë muajve të verës.

Sipas ushtarëve ukrainas, dronët rusë po fokusohen gjithnjë e më shumë në zbulimin dhe shkatërrimin e pozicioneve nga ku operojnë ekipet ukrainase të dronëve, duke e bërë më të vështirë mbrojtjen e vijës së frontit.

Analistët ushtarakë vlerësojnë se Rusia po përdor të njëjtën strategji që ndoqi në qytete të tjera të Donbasit, duke avancuar në krahë për të izoluar qytetin dhe për të prerë rrugët e furnizimit.

Projekti ukrainas i monitorimit të frontit “DeepState” e cilëson situatën në Kostyantynivka si një krizë serioze, duke paralajmëruar se rënia e qytetit do të komplikonte ndjeshëm mbrojtjen e rajonit dhe do të rriste rrezikun edhe për Kramatorskun.

Pavarësisht vështirësive, forcat ukrainase vazhdojnë rezistencën, ndërsa luftimet në qytet mbeten intensive dhe me pasoja të rëndësishme për ecurinë e luftës në lindje të Ukrainës.