Vendosni fjalën kyçe....

Berlini për protestat në Shqipëri: Janë çështje të brendshme politike


Qeveria gjermane ka komentuar për herë të parë protestat që po zhvillohen në Shqipëri, pas një pyetjeje të ngritur nga Deutsche Welle në një konferencë për shtyp në Berlin.

Sipas DW, Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë iu kërkua të sqarojë nëse Berlini është në kontakt me protestuesit në Shqipëri, nëse ka informacion mbi kërkesat e tyre dhe çfarë pret nga qeveria shqiptare në raport me zhvillimet e fundit.

Duke iu përgjigjur interesimit të medias gjermane, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Martin Giese, u shpreh se protestat dhe debatet politike në Shqipëri konsiderohen çështje të brendshme të vendit.

“Protestat janë një e drejtë demokratike e qytetarëve, por ato përbëjnë një çështje të brendshme politike të Shqipërisë,” deklaroi Giese gjatë konferencës për shtyp.

Qëndrimi i Berlinit vjen në një kohë kur protestat kundër qeverisë shqiptare po vazhdojnë prej disa javësh dhe kanë tërhequr vëmendje edhe në mediat ndërkombëtare.