Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me pjesëmarrjen e qytetarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në protestat e zhvilluara në Tiranë, duke theksuar se shqiptarët e këtyre vendeve nuk mund të konsiderohen diasporë e Shqipërisë.
Në një postim të gjatë, Rama u ndal te një reagim i ish-deputetes së Maqedonisë së Veriut, Arta Toçi, ndërsa argumentoi se shqiptarët në RMV janë popull shtetformues në vendin e tyre dhe shqiptarët e Kosovës kanë shtetin e tyre të pavarur.
“Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë diasporë e Shqipërisë në tokë të huaj. Së bashku me maqedonasit e veriut ata janë popull shtetformues në tokën e tyre në shtetin fqinj. Diasporë janë mërgimtarët në vende të huaja, jo ata dhe as shqiptarët e Kosovës, të cilët kanë shtetin e tyre të pavarur,” shkruan Rama.
Kreu i qeverisë kritikoi pjesëmarrjen e protestuesve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, duke i cilësuar si “viktima të zellshme” të interesave politike që, sipas tij, synojnë të krijojnë përçarje dhe të dëmtojnë imazhin e shqiptarëve.
“Kur ushtarët e verbër të karvaneve politike nga Prishtina e Tetova paraqiten në Tiranë si ‘diasporë’, me flamuj kombëtarë që bëhen dekor i një farse të tillë, ata janë thjesht viktima të zellshme,” thekson kryeministri.
Rama akuzoi sponsorët e protestave se po shpenzojnë para për të dëmtuar interesin kombëtar dhe ndërkombëtar të shqiptarëve.
“Sponsorët e tyre po i harxhojnë paratë vetëm e vetëm për t’i bërë dëm kombëtar e ndërkombëtar imazhit të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe vetë Kosovës,” u shpreh ai.
Një pjesë e veçantë e reagimit iu kushtua përdorimit të flamurit të UÇK-së në protestë, që Rama e cilësoi si një përdhosje të simbolit të luftës çlirimtare.
“Nuk do të më hiqet kurrë nga mendja përdhosja e flamurit çlirimtar të UÇK-së, duke u ngritur si bajrak urrejtjeje për rrëzimin e qeverisë në Tiranë,” shkroi ai.
Në fund të reagimit, Rama kërkoi që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mos përfshihet në debatet që lidhen me protestat, duke sqaruar se kritikat e tij nuk drejtohen ndaj kreut të qeverisë kosovare.
“Lëreni Albin Kurtin jashtë kësaj çorbe të neveritshme. Nuk do të ishte e drejtë të mendoja se ai gjykon si ata që janë përfshirë në këtë histori,” përfundon Rama.
Postimi:
“Nuk e njoh zonjën, po më çoi dikush këtë postim që më nxiti shënimin më poshtë:
Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë diasporë e Shqipërisë në tokë të huaj, së bashku me maqedonasit e veriut ata janë popull shtetformues në tokën e tyre në shtetin fqinj!
Diasporë janë mërgimtarët në vende të huaja, jo ata dhe as shqiptarët e Kosovës jo e jo, të cilët kanë shtetin e tyre të pavarur.
Kur ushtarët e verbër të karvaneve politike nga Prishtina e Tetova paraqiten në Tiranë si “diasporë”,, me flamuj kombëtarë që bëhen dekor i një farse të tillë dhe me plisa të bardhë që nxihen prej një marreje si kjo, ata janë thjesht viktima të zellshme që nuk ia bëjnë dot vetes një pyetje të thjeshtë:
Brengoset apo gëzohet kush i do shqiptarët në sherr e në rrëmujë, kur e sheh këtë “diasporë” të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës të turret si një hordhi pushtuese mbi kuaj me katër rrota drejt Tiranës, për të rrëzuar qeverinë e Shqipërisë?
Kjo është një pyetje që në fakt duhet t’ia bëjnë vetes sponsorët e tyre, të cilët i siguroj se po i harxhojnë paratë vetëm e vetëm për t’i bërë dëm kombëtar e ndërkombëtar imazhit të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe vetë Kosovës. Sepse sa për mua dhe qeverinë e Partisë Socialiste duhet të vazhdojnë të paguajnë naftë, ushqim e qeleshe, deri ditën kur mbaron kontrata jonë e pazgjidhshme me 856.177 shqiptarë, brenda e jashtë atdheut. Maj 2029.
Dhe nuk do të më hiqet kurrë nga mendja përdhosja e flamurit çlirimtar të UÇK-së, duke u ngritur si bajrak urrejtjeje për rrëzimin e qeverisë në Tiranë! Çfarë dhurate për ata që nuk e njohin Kosovën dhe për ata që gjithnjë na kanë përqeshur si një popull pa aftësi shtetbërëse. Bash përdhosës e baltosës kësisoj ia kanë sjellë në majë të pendës edhe Atit të Shqiptarisë, Gjergj Fishtës:
“Ju rrugaça e sallahana,
vagabonda shakllabana,
rriqna t’ndyet, mikrobe t’kqij,
qi të mjerës moj Shqipni
kthelltë hi i keni n’mushkni…”
Post Scriptum. Dhe mos të spekullojë askush duke e lidhur këtë shënim me emrin e kryeministrit të Kosovës, sepse kurrsesi nuk mund ta bëj e as ta nënkuptoj në asnjë rrethanë, përgjegjës, për asnjë prej sallahanave të Vetëvendosjes që janë përfshirë në këtë çorbë dreqërish. Nuk e them këtë hiçasfare për një larje protokollare goje, por sepse e di mirë që çdo çadër e gjerë politike mban edhe sallahanat e vet dhe do të fyeja inteligjencën e Albinit po të mendoja se ai gjykon si ata. Kështu që lëreni Albin Kurtin jashtë kësaj çorbe të neveritshme”, shkruan Rama.
