
Kryeministri Edi Rama ka kritikuar blogerët dhe influencerët që kanë mbështetur protestat kundër investimit në Zvërnec, duke i akuzuar se po marrin pjesë për përfitime në vëmendje dhe klikime.
Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS-së, Rama tha se shumë persona që nuk kanë qenë kurrë pjesë e protestave janë përfshirë tani vetëm sepse kjo është bërë trend.
“Sa herë e keni dëgjuar gjatë këtyre ditëve nga njerëz që kurrë në jetën e tyre as nuk e kanë imagjinuar të përzihen me protesta, por janë bërë parallinj me shalë e kremra, që të shfaqen atje bashkë me shalët dhe kremrat e tyre, sepse është trendi. Kanë frikë të mbeten jashtë valës.
Sepse në ekonominë e vëmendjes heshtja nuk shpërblehet. Shpërblehet vetëm pjesëmarrja. Shpërblehet ai që bën videon më dramatike. Dhe një protestë nuk është më protestë, por një treg klikimesh e morali, madje edhe një treg karrierash”, tha mes të tjerash Rama.