Ministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se sektori i ndërtimit në Shqipëri vijon të monitorohet si një fushë me risk për pastrimin e parave, por theksoi se analizat tregojnë se financimi i tij vjen kryesisht nga sistemi bankar.
E pyetur për hetimet e fundit të SPAK dhe dyshimet për investimin e parave të krimit në ndërtim, Ibrahimaj tha se qeveria nuk mund të komentojë çështje që janë ende nën hetim nga organet e drejtësisë.
“S’mund të flas për një çështje që në SPAK është nën hetim. Si edhe ju, ne e kemi mësuar nga mediat për ngjarjet e kësaj jave. Në analizat e sektorit të ndërtimit që bëhen në bashkëpunim me institucione ndërkombëtare, ai rezulton një sektor thellësisht i financuar nga sistemi bankar dhe është në fokus të monitorimeve të vazhdueshme, pasi konsiderohet sektor me risk, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën”, u shpreh ministrja.
Duke komentuar debatin për investimin e planifikuar në Zvërnec, Ibrahimaj theksoi se ende nuk ekziston një projekt i miratuar, pasi procesi është në fazë pune dhe vlerësimi.
Sipas saj, vetë natyra e zonës është arsyeja kryesore që ka tërhequr interesin e investitorëve ndërkombëtarë.
“Për projektin e Zvërnecit dua të bëj të qartë diçka. Arsyeja pse investitorët vijnë në Zvërnec është natyra. Arsyeja pse disa investitorë kanë vendosur të bëjnë investime në këto përmasa është pikërisht ajo natyrë. Është pa diskutim në interesin tonë që ta mbrojmë natyrën dhe në interesin e tyre, për nivelin e turizmit që duan të sjellin në Shqipëri, që natyra të ruhet dhe të mbrohet”, deklaroi Ibrahimaj.
Deklaratat e ministres vijnë në një kohë kur investimi i propozuar në Zvërnec vijon të jetë në qendër të debatit publik dhe protestave të organizuara nga aktivistë dhe qytetarë, të cilët kërkojnë mbrojtjen e zonave të mbrojtura dhe rishikimin e ndryshimeve ligjore të vitit 2024.
