
Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar “Metodat”, në kuadër të të cilit është arrestuar në Borsh Moisi Habilaj, një nga personat më të kërkuar nga autoritetet italiane për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Sipas njoftimit zyrtar, 48-vjeçari u lokalizua në ambientet e një lokali në Borsh pas një pune intensive hetimore dhe operacionale, ku u përdorën edhe metoda speciale hetimi për zbulimin e vendndodhjes së tij.
Habilaj rezulton i dënuar nga Gjykata e Katanias në Itali me 12 vjet, 2 muaj e 13 ditë burgim për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.
Po ashtu, ndaj tij u ekzekutua edhe masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda në Shqipëri me vendimin nr. 192, datë 26 dhjetor 2018, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.
Gjatë operacionit, policia arrestoi në flagrancë edhe shtetasin E.A., 46 vjeç, banues në Sarandë, ndërsa procedoi penalisht në gjendje të lirë shtetasin italian S.F., 70 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa vijojnë procedurat ligjore në lidhje me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore ndaj Habilajt.