Vendosni fjalën kyçe....

Protesta e 15-të kundër Ramës mbahet sot në Tiranë, qytetarët rikthehen në shesh në orën 18:00



Këtë të diel do të mbahet protesta e 15-të radhazi kundër kryeministrit Edi Rama, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje në tubimin që do të nisë në orën 18:00 në Sheshin Skënderbej.

Pas 14 ditësh protestash të pandërprera në kryeqytet, qytetarët pritet të mblidhen sërish për të shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë dhe për të kërkuar largimin e kryeministrit. Protestat nuk janë kufizuar vetëm në Tiranë, por janë shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit, ku qytetarë të shumtë kanë dalë në tubime me të njëjtën kërkesë.

Tubimi i së shtunës u konsiderua nga organizatorët si një nga protestat më të mëdha të zhvilluara deri më tani, me pjesëmarrjen e mijëra qytetarëve. Në protestë morën pjesë të rinj, familjarë, pensionistë dhe qytetarë të grupmoshave të ndryshme, të cilët ngritën shqetësime që lidhen me qeverisjen, kushtet ekonomike dhe situatën sociale në vend.

Mesazhi kryesor i protestuesve ka qenë kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa nuk kanë munguar as kritikat ndaj opozitës dhe klasës politike në tërësi.

Sipas organizatorëve, protesta e sotme do të nisë në Sheshin Skënderbej dhe më pas do të vijojë me marshim drejt godinës së Kryeministrisë. Tubimi pritet të zgjasë deri në orët e vona të mbrëmjes.