
Ka nisur mbledhja e 11-të e Qeverisë së Kosovës, ku kryeministri, Albin Kurti, ka bërë të ditur detaje lidhur me mjetet financiare të ndara nga Komisioni Evropian.
Në fjalën e tij para kabinetit qeveritar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se vendi po i afrohet afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se zgjedhjet e parakohshme nuk janë opsion dhe se përgjegjësia bie mbi deputetët për të gjetur një zgjidhje përmes kompromisit politik.
Kryeministri Kurti, ka theksuar se zgjedhja e presidentit mbetet detyrë kushtetuese e Kuvendit, ndërsa tha se shkuarja në zgjedhje të parakohshme nuk janë opsion derisa shtoi se i presin vendime jo të lehta.
Kurti deklaroi se situata kërkon vullnet politik dhe kompromis nga të gjitha partitë. Ai nënvizoi se asnjë subjekt politik nuk mund të sigurojë i vetëm 80 apo më shumë deputetë, duke bërë thirrje që diskutimet të zhvillohen mbi bazën e rezultateve zgjedhore dhe në interes të vendit.
Sipas tij, Kosova ka nevojë për stabilitet institucional dhe parashikueshmëri, duke rikujtuar se qytetarët kanë votuar për një mandat katërvjeçar dhe se së shpejti do të procedohet për miratim programi qeverisës 2026–2030.
Kurti shtoi se një cikël i ri zgjedhor nuk do të sillte ndryshime të mëdha në rezultat, por do të vononte proceset, do të krijonte kosto shtesë dhe do të rrezikonte humbjen e mundësive dhe fondeve, shkruan RTK.
Ai bëri të ditur gjithashtu se Komisioni Evropian ka nisur transferimin e mjeteve të parafinancimit për Kosovën në kuadër të Planit të Rritjes, pas miratimit në Qeveri dhe ratifikimit në Kuvend.
Sipas tij, nga 61.8 milionë euro të parapara, 28.74 milionë euro tashmë janë bartur në buxhetin e shtetit në formë kredie, ndërsa pjesa tjetër prej 33.04 milionë euro do të realizohet përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor. Ai ka theksuar se 17.73 milionë euro janë grante dhe 15.31 milionë euro kredi, duke shtuar se këto mjete do të shfrytëzohen për projekte infrastrukturore.
Kurti, ka mirëpritur arrestimin e Stefan Radulloviq, i dyshuar për përfshirje në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023.
Në mbledhjen e Qeverisë, Kurti e cilësoi këtë veprim si një hap të rëndësishëm drejt vendosjes së drejtësisë për rastin, duke theksuar se përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë.
“Mirëpresim arrestimin e Stefan Radulloviq, i lidhur me sulmin në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku. Ky është një hap përpara dhe drejtësia bëhet e plotë vetëm kur bashkëpunëtorët dhe kryeterroristi Milan Radoiçiq me grupin e tij vihen para drejtësisë në Republikën e Kosovës”, tha ai.