Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohen dy të rinj në Durrës, kapen me drogë dhe cigare pa dokumente



Specialistët e qarkullimit rrugor, në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, kanë arrestuar në flagrancë shtetasit E. B., 33 vjeç, dhe E. N., 28 vjeç, të dy banues në Durrës.

Arrestimi i tyre u bë pas një kontrolli të ushtruar nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, ku u konstatua se shtetasi E. B. drejtonte automjetin pa leje drejtimi, ndërsa shtetasi E. N. ndodhej si pasagjer.

Gjatë kontrollit të automjetit, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, si dhe dhjetëra paketa cigare.

Nga veprimet hetimore paraprake dyshohet se dy të arrestuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, janë autorë edhe të vjedhjes së një marketi në lagjen nr. 17, në qytetin e Durrësit.

Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.