
Kryeministri hungarez Viktor Orban dhe partia e tij Fidesz, kanë humbur zgjedhjet parlamentare në Hungari. Pas 16 vitesh në pushtet, Orban ia dorëzon stafetën partisë Tisza dhe ish-aleatit të tij, konservatorit Peter Magyar.
Ky i fundit sapo ka postuar në Facebook duke thënë se Viktor Orbán e ka uruar.
“Pak më parë, kryeministri Viktor Orbán më uroi për fitoren tonë gjatë një telefonate.”
Tisza pritet të fitojë shumicë prej dy të tretash, tregojnë rezultatet paraprake
Partia Tisza Party pritet të fitojë 135 mandate në parlamentin me 199 vende, bazuar në rezultate të pjesshme me 45.7% të votave të numëruara, sipas zyrës kombëtare të zgjedhjeve.
Kjo do t’i jepte Tisza-s një shumicë prej dy të tretash në parlament, gjë që do të mundësonte reforma të thella institucionale dhe do t’i lejonte qeverisë së re të ristrukturonte institucionet kyçe. Partia Fidesz do të merrte 57 vende sipas rezultateve aktuale.
Orbán nga ana e tij u foli mbështetësve në Budapest. Ai tha se rezultati i zgjedhjeve është i qartë dhe i dhimbshëm për partinë e tij.
“Rezultati i zgjedhjeve nuk është ende përfundimtar, por është i kuptueshëm dhe i qartë. Rezultati është i dhimbshëm për ne, por i qartë. Përgjegjësia dhe mundësia për të qeverisur nuk na është dhënë. Unë e kam uruar fituesin,” tha Orbán.
Ai shtoi se Fidesz do t’i shërbejë Hungarisë nga opozita, shkruan Reuters.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shkroi në X se Hungaria zgjodhi Evropën:
“Zemra e Evropës po rreh më fort sonte në Hungari. Hungaria ka zgjedhur Evropën. Evropa gjithmonë ka zgjedhur Hungarinë. Së bashku jemi më të fortë. Një vend po rikthen rrugën e tij evropiane. Bashkimi bëhet më i fortë.”

Péter Magyar, një figurë konservatore e moderuar që ka shfrytëzuar pakënaqësinë e hungarezëve ndaj rritjes së kostos së jetesës, korrupsionit dhe shërbimeve publike në rënie, e përshkroi votimin si një “referendum” për vendin e Hungarisë në botë.
Duke hedhur votën të dielën, Magyar u tha gazetarëve se zgjedhjet ishin “një zgjedhje mes Lindjes apo Perëndimit, propagandës apo diskursit të ndershëm publik, korrupsionit apo një jete publike të pastër.”
Viktor Orbán ka qenë në pushtet në Hungari që nga viti 2010, duke fituar katër mandate radhazi ndërsa qeveria e tij ka rritur kontrollin mbi institucionet publike, gjyqësorin dhe median. Ligjvënësit e Bashkimit Evropian dhe shumë organizata perëndimore monitoruese nuk e konsideronin më vendin si një demokraci të plotë, shkruan NBC.
Për republikanët amerikanë dhe të djathtën e fortë në Evropë, lideri shihet si një pionier. Orbán ka pohuar se ka kontribuar në “hartimin e programit” për politikat dhe strategjinë e Donald Trump, dhe që nga viti 2022, mbledhja e së djathtës CPAC ka organizuar çdo vit një aktivitet paralel në Hungari.
Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance udhëtoi drejt Budapestit përpara ditës së zgjedhjeve në përpjekje për të përmirësuar rezultatet e dobëta në sondazhe të aleatit të tij. Orbán, shpesh ka qenë zëri i vetëm kundërshtues mes krerëve të BE-së ndaj sanksioneve kundër Rusisë dhe ka mbrojtur marrëdhënie më të ngrohta me Moskën.
Mesazhi i Orbánit për elektoratin u përqendrua kryesisht te lufta e Rusisë në Ukrainën fqinje, duke sulmuar shpesh presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Në prag të votimit, Orbán akuzoi Ukrainën për sabotimin e një tubacioni kyç nafte, ndërsa autoritetet hungareze sekuestruan një dërgesë parash nga një bankë ukrainase.
Duke folur me gazetarët përpara se të votonte të dielën, Orbán, 62 vjeç, tha se fushata kishte qenë “një moment i madh kombëtar për ne”, duke shtuar: “Jam këtu për të fituar.”