Vendosni fjalën kyçe....

Shiste veshje kontrabandë me vlerë 45 mijë euro, arrestohet 26-vjeçari



Finalizohet operacioni policor i koduar “Wrong Way”, ku është goditur një rast i kontrabandës së mallrave dhe është vënë në pranga një 26-vjeçar.

I riu u arrestua në aksin rrugor Elbasan-Tiranë, pasi u kap duke transportuar me furgon veshje të markave të ndryshme, të dyshuara si të kontrabanduara, me një vlerë rreth 45 mijë euro.

Gjatë operacionit janë sekuestruar si veshjet, ashtu edhe mjeti që përdorej për transportin e tyre.

Aksioni u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në kuadër të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme në fushën e kontrabandës.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.