Presidenti francez Emmanuel Macron është pritur këtë të premte në Vatikan nga Papa Leo XIV, në takimin e tyre të parë ballë për ballë që prej marrjes së detyrës nga pontifi me origjinë amerikane në majin e kaluar.
Takimi, i cili zgjati rreth 40 minuta, u dominua nga shqetësimi i përbashkët për luftën në Lindjen e Mesme dhe pasojat e rënda të sulmeve SHBA-Izrael ndaj Iranit.
Papa Leo XIV, i njohur për qëndrimet e tij të prera kundër dhunës, lëshoi një paralajmërim të fortë pas takimit, duke u shprehur se krishterimi nuk mund të pajtohet me ata që “sot hedhin bomba”.
Edhe pse pa e përmendur me emër Presidentin Donald Trump, pontifi dënoi “dhunën e pakuptimtë dhe çnjerëzore” që po përhapet me feroci në vendet e shenjta të Lindjes.
“Kushdo që është dishepull i Krishtit, Princit të Paqes, nuk qëndron kurrë në anën e atyre që dje vringëllonin shpatën dhe sot hedhin bomba,” deklaroi Papa gjatë një takimi me peshkopët e Bagdadit menjëherë pas audiencës me Macron.
Të dy udhëheqësit shprehën bindjen e tyre se dialogu është rruga e vetme për rivendosjen e bashkjetesës paqësore. Macron, i cili gjithashtu ka kritikuar rretorikën e Uashingtonit duke e cilësuar si “të tepërt dhe të çorientuar”, theksoi rëndësinë e përfshirjes së Libanit në armëpushimin aktual.
“Ne ndajmë të njëjtën bindje – përballë thyerjeve të botës, veprimi për paqen është detyrë dhe kërkesë,” shkroi Macron në platformën X pas takimit.
Pavarësisht peshës së temave politike, takimi pati edhe momente më të lehta. Presidenti francez i dhuroi Papës një fanellë të nënshkruar nga lojtarët e kombëtares franceze të basketbollit.
Papa Leo XIV, i lindur në Çikago, njihet si një adhurues i madh i sportit, veçanërisht i basketbollit dhe bejsbollit, dhe praktikon rregullisht tenisin dhe notin në rezidencën e tij verore në Castel Gandolfo.
Takimi u zhvillua në gjuhën angleze, ndryshe nga raportet e mëparshme të Macron me paraardhësin e Leos, Papën Françesk.
Në mbyllje të bisedës, Macron e ftoi zyrtarisht Atin e Shenjtë për një vizitë në Francë, e cila sipas burimeve presidenciale mund të realizohet në shtator të këtij viti.
Ky takim rikonfirmon rolin e Vatikanit si një zë kritik ndaj politikave të forcës, duke u rreshtuar krah Francës në kërkimin e një zgjidhjeje diplomatike për krizën që ka tronditur ekonominë globale.
