Vendosni fjalën kyçe....

Berisha në takimin me studentët: Rama trefishoi tarifat, kostoja e studimeve sa në Britaninë e Madhe ose Holandë


Ish-kryeministri dhe kryetari i PD-së Sali Berisha ka zhvilluar sot një takim me të rinj ku ka ngritur një sërë shqetësimesh për sistemin universitar.

“Universitetet në histori kanë patur rol përcaktues në të ardhmen dhe zhvillimin e një kombi. Ato kombe që i kanë patur të vona universitetet si ne, ato kanë patur histori shumë të vështira. Kombet me universitetet më të hershme kanë histori lirie. Universitetet janë qendra drite, qendra dije, qendra lirie në kuptimin e debatit të lirë, në kuptimin e autonomisë, në kuptimin e pavarësisë akademike të studentëve dhe pedagogëve të tyre.

 Kjo është një periudhë shumë e vështirë për universitetet tona. Kjo sepse në këto 8 vite, në mënyrën më të pamerituar u ndoq një politikë absolutisht rrënuese për këto universitete. U rikthyen nga Rilindja parimet atavike të tejkaluara që nga vitet ‘70-‘80 të shekullit të shkuar në vendet e lira. U rikthye parimi i kufizimit dhe pranimeve të kufizuara në universitete dhe jo i dyerve të hapura të cilin vendet e lira e kanë vendosur nga mesi i viteve ’70 e gjer sot. U rikthye parimi i kontrollit qeveritar i universiteteve nëpërmjet komisarëve, dikur quheshin kancelarë dhe sot quhen administratorë, të cilët nuk veprojnë në përputhje me interesat tuaja, me interesat e pedagogëve tuaj, me interesat e konsolidimit të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, por zbatojnë urdhrat e qeverisë dhe Ministrisë, duke rrëmbyer edhe fondet që krijon universiteti nga burime të ndryshme, përfshirë tarifat tuaja. E njëjta gjë ndodhi me bordet, u emëruan militantë dhe këto së bashku morën atë që duhet liri akademike.”– tha Berisha.

Kryedemokrati kritikoi kryeministrin Edi Rama duke thënë se trefishoi tarifat e studimeve, kostoja e të cilave sipas tij ka shkuar sa në Britaninë e Madhe ose Holandë.

 “Për ju u 2-3-fishuan tarifat dhe ju sot keni tarifa disa herë më të larta se sa një austriak në Austri familja e të cilit mund të marrë minimumi 7-10 herë më shumë se familja juaj. Ju paguani tarifa sot së paku 10 herë më shumë seç paguan gjermani në universitetet gjermane, ose sa paguan një shqiptar që shkon në universitetet gjermane. Tarifat që vendosi kjo qeveri për mijëra familje e bëjnë të pamundur të mbështesë fëmijën e dytë për në universitet. Pra, për të kufizuar dhe rënduar barrën për ata që ndjekin janë vendosur pengesa serioze. Janë dy vende me universitete të kushtueshme në Europë, Britania e Madhe dhe Holanda, por që të dyja, në proporcion me të ardhurat familjare, nuk janë më shtrenjtë se universitetet e Shqipërisë.”- tha Berisha.