
Kryeministri britanik Keir Starmer po udhëton drejt vendeve të Gjirit për t’u takuar me liderët e rajonit, me qëllim diskutimin e përpjekjeve diplomatike për të mbështetur armëpushimin e arritur mes SHBA-së dhe Iranit.
Vizita e tij të mërkurën vjen vetëm disa orë pasi u arrit një armëpushim dyjavor, duke shmangur afatin e vendosur nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili kishte paralajmëruar Iranin për pasoja të rënda nëse nuk dorëzohej.
Starmer u shpreh se e mirëpret marrëveshjen për armëpushim, duke theksuar se ajo sjell një moment lehtësimi për rajonin dhe botën. Ai shtoi se, së bashku me partnerët ndërkombëtarë, duhet bërë çdo përpjekje për ta mbështetur dhe kthyer këtë marrëveshje në një zgjidhje të qëndrueshme, si dhe për të rihapur Ngushticën e Hormuzit.
Sipas Downing Street, Starmer do të diskutojë mënyrat për të ruajtur armëpushimin dhe për të arritur një zgjidhje afatgjatë të konfliktit, duke mbrojtur njëkohësisht ekonominë britanike dhe atë globale, e cila është ndikuar nga kriza, shkruan The Guardian.
Vizita e tij ishte planifikuar përpara shpalljes së armëpushimit dhe vjen në një kohë kur ai po përballet me presion për të kufizuar aksesin e SHBA-së në bazat ajrore britanike. Kjo pas deklaratave të Trump, i cili paralajmëroi se “një civilizim i tërë do të shkatërrohet” nëse Irani nuk përmbush kërkesat dhe nuk lejon kalimin e lirë të anijeve në Ngushticën e Hormuzit.
Deklaratat e presidentit amerikan janë kritikuar nga ekspertë ushtarakë dhe ish-oficerë, të cilët i kanë cilësuar si të mundshme shkelje të ligjit ndërkombëtar, ndërsa qeveria britanike nuk ka reaguar drejtpërdrejt ndaj tyre.