
Ndërsa kryeministri Edi Rama ka nisur një tur komunikimi për integrimin europian, deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka vënë në pikëpyetje këtë qasje, duke e cilësuar më shumë retorikë sesa angazhim real.
Tabaku kritikoi veçanërisht nismën për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, të propozuar nga deputetë të Partisë Socialiste, përfshirë edhe kryeministrin, që parashikon heqjen e pezullimit nga detyra në rast hetimi. Sipas saj, kjo përbën një test të vërtetë për vullnetin e qeverisë në procesin e integrimit.
Deputetja theksoi se tërheqja nga kjo nismë do të ishte një provë minimale e seriozitetit të qeverisë, ndërsa e cilësoi diskursin për integrimin si një “stinë të rikthyer dashurie” që nuk reflekton realitetin e qytetarëve, të cilët përballen me çmime të larta, emigrim dhe vështirësi ekonomike.
Në qëndrimin e saj, Tabaku nënvizoi se integrimi europian varet mbi të gjitha nga veprimet konkrete të institucioneve shqiptare. Ajo përmendi dy hapa kyç që sipas saj mungojnë: rritjen e denoncimeve nga vetë institucionet shtetërore pranë SPAK për rastet e korrupsionit, si dhe tërheqjen nga ndryshimet ligjore që mund të krijojnë mburojë për zyrtarët nën hetim.
Sipas Tabakut, këto iniciativa rrezikojnë të krijojnë një lloj imuniteti de facto për zyrtarët dhe të minojnë besimin tek drejtësia, duke dëmtuar drejtpërdrejt procesin e integrimit në Bashkimin Europian.
Në përfundim, ajo theksoi se integrimi nuk është çështje deklaratash, por vendimesh konkrete që dëshmojnë vullnet për të luftuar korrupsionin dhe për të reformuar sistemin.