Vendosni fjalën kyçe....

JD Vance në Hungari në mbështetje të Orbán para zgjedhjeve parlamentare



Zëvendëspresidenti i SHBA, JD Vance, ka mbërritur në Hungari për të shprehur mbështetjen e administratës amerikane ndaj kryeministrit Viktor Orbán, në prag të zgjedhjeve parlamentare të së dielës, përcjell Euronews.

Vance pritet të zhvillojë një takim me Orbán, si dhe të mbajë një fjalim në aktivitetin “Hungarian-American Friendship Day”. Ai deklaroi se në fokus të bisedimeve do të jenë marrëdhëniet SHBA-Hungari, si dhe çështje më të gjera si Europa dhe Ukraina.

Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur vazhdimisht mbështetjen e tij për Orbán, duke deklaruar se është “plotësisht në krah” të tij në këto zgjedhje.

Fushata e Orbán është përqendruar kryesisht në politikën e jashtme, duke theksuar marrëdhëniet me SHBA dhe Vladimir Putin.

Megjithatë, sondazhet nga institute të pavarura parashikojnë një fitore të mundshme për partinë opozitare Tisza, të drejtuar nga Péter Magyar, e cila ka fituar terren të konsiderueshëm në vitet e fundit.

Ndërkohë, institucionet pranë qeverisë parashikojnë një tjetër mandat për koalicionin në pushtet Fidesz-KDNP.

Vizita e Vance shihet si pjesë e një qasjeje më të drejtpërdrejtë të administratës Trump për të mbështetur aleatët politikë në arenën ndërkombëtare.